Bashkimi Evropian do të heqë dorë plotësisht nga nafta e papërpunuar ruse dhe produktet e rafinuara deri në fund të vitit, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, teksa më 4 maj njoftoi për rundin e gjashtë të sanksioneve kundër Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Marketing

“Ne do të heqim dorë nga furnizimet nga nafta e papërpunuara brenda gjashtë muajsh dhe produkteve të rafinuara deri në fund të vitit”, tha von der Leyen para Parlamentit Evropian në Strasburg, transmeton REL.

“Kjo do të jetë ndalesë e plotë ndaj importit të naftës ruse, që vjen nga cisternat dhe tubacionet, nafta e papërpunuar dhe ajo e rafinuar”.

“Nuk do të jetë e lehtë. Disa shtete anëtare janë shumë të varura nga nafta ruse. Por, ne thjesht duhet të punojmë për këtë”, tha von der Leyen, teksa prezantoi propozimin, i cili duhet të miratohet nga të gjitha 27 shtetet që të hyjë në fuqi.

Von der Leyen nuk përmendi asnjë përjashtim nga kjo ndalesë, edhe pse Hungaria dhe Sllovakia, dy shtete anëtare të bllokut, janë shumë të varura nga importet e energjisë ruse dhe janë shprehur kundër ndalesës.

Megjithatë, presidentja e Komisionit Evropian tha se një vendim unanim për sanksionet mbi naftën “nuk do të jenë të lehta”.

Von der Leyen po ashtu njoftoi për largimin e bankës më të madhe ruse, Sberbank, nga sistemi ndërkombëtar i komunikimit financiar, SWIFT.

Në pakon e gjashtë të sanksioneve, që pritet të miratohet në ditët në vijim, do të jenë edhe zyrtarët ushtarakë të përfshirë në mizoritë e kryera në Buça dhe Mariupol, tha von der Leyen.

Po ashtu, zyrtarja e lartë e BE-së tha se tre media shtetërore ruse do të largohen nga transmetimet në BE, pasi sipas saj, këto janë “megafonë të gënjeshtrave të Putinit”.

Sanksionet e paralajmëruara nga BE-ja vijnë teksa forcat ruse po godasin objektiva në lindje të Ukrainës, duke sulmuar me raketa fabrikën e çelikut në Mariupol, që është pika e fundit e rezistencës.

Marketing