Ukraina i ka kërkuar Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) t’i bëjë thirrje NATO-s që të mbyllë hapësirën ajrore mbi objektet e saj bërthamore dhe të intensifikojë veprimet për të parandaluar ato që ajo i quajti “akte të terrorizmit bërthamor” lidhur me kapjen nga trupat ruse të termocentralit bërthamor të Çernobilit dhe zona e përjashtimit.

Marketing

Apeli i përbashkët drejtuar IAEA , i datës 2 mars, u nënshkrua nga ministri i energjisë Herman Galushchenko, ushtrues detyre i kryetarit të Inspektoratit Rregullator Shtetëror Bërthamor (SNRIU) Oleg Korikov dhe presidenti në detyrë i operatorit bërthamor Energoatom Petro Kotin, transmeton albora.ch.

Ata gjithashtu i kërkuan IAEA të ndihmojë në parandalimin e krijimit të një zone përjashtimi prej 30 km rreth katër stacioneve bërthamore tregtare të vendit dhe të krijojë një qendër për monitorimin e situatës në objekt, në vendin e fatkeqësisë bërthamore të vitit 1986.

Energoatom tha, se stafi i Çernobilit është mbajtur nga ushtria ruse pa rotacion për të shtatën ditë dhe i nënshtrohet presionit psikologjik dhe është i rraskapitur moralisht. Thuhet se ata kanë mundësi të kufizuara për të komunikuar, për të lëvizur ose për të kryer punë rutinë dhe punë riparimi plotësisht, gjë që “çon në shkelje të regjimit të rrezatimit dhe përbën rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre”.

Në një deklaratë të veçantë Energoatom tha, se që nga ora 09:00 me orën lokale më 3 mars, termocentralet bërthamore të Ukrainës funksiononin “në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme” dhe siguronin prodhim të mjaftueshëm të energjisë elektrike për nevojat e vendit.

“Nuk ka shkelje të kushteve të funksionimit të sigurt”, tha Energoatom.

“Rrezatimi, zjarri dhe kushtet mjedisore në termocentralet bërthamore dhe në territoret ngjitur nuk kanë ndryshuar dhe janë brenda normave aktuale”.

Ukaraina ka 15 reaktorë komercialë të energjisë në katër stacione bërthamore – Zaporozhye, Rivne, Khmelnitski dhe Ukrainën Jugore. Nëntë janë në funksion dhe pjesa tjetër ose jashtë linje për ndërprerjet e planifikuara ose në rezervë.

Në fillim të kësaj jave Energoatom hodhi poshtë raportet se Rusia kishte marrë kontrollin e stacionit bërthamor të Zaporozhye, por tha se trupat ishin afër dhe rrugët hyrëse po bllokoheshin nga civilët.

Zaporozhye, në lindje të vendit pranë rajonit të diskutueshëm të Donetsk, është stacioni më i madh bërthamor i Ukrainës, me gjashtë reaktorë operativë secili me 1000 MW bruto (950 MW neto). Ai është gjithashtu termocentrali më i madh bërthamor në Evropë dhe aseti më i madh i Ukrainës që prodhon energji elektrike. /albora.ch/

Lexo edhe:

Marketing