Udhëtimi në Evropë mund të bëhet më pak i ndërlikuar për udhëtarët nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilët janë vaksinuar plotësisht.

Marketing

BE-ja ka rekomanduar që udhëtarëve të vaksinuar nuk duhet t’u kërkohet t’i nënshtrohen testeve ose masave të karantinimit kur hyjnë në shtetet anëtare.

Sipas rekomandimit të ri, i cili hyn në fuqi më 1 shkurt, kufizimet do të hiqen për ata që posedojnë certifikatën e vlefshme dixhitale Covid të BE-së në një “qasje të koordinuar për të lehtësuar lëvizjen e lirë të sigurt” në të gjithë Evropën, raporton CNN.

Kjo do të thotë që udhëtarët e vaksinuar plotësisht mund të lejohen të lëvizin lirshëm nëpër 27 shtetet anëtare të Bllokut me kusht që secili vend të ndjekë udhëzimet.

Destinacionet individuale të BE-së lejohen të lëshojnë kufizimet e tyre shtesë dhe shumë prej tyre kanë zgjedhur ta bëjnë këtë që kur rekomandimet e para të Bllokut për kufizimet u lëshuan në fillim të pandemisë.

Derisa ndryshimi i udhëzimeve do të zbatohej edhe për ata që janë shëruar së fundmi nga Covid-19, kërkesat e testimit do të mbeten në fuqi për të pavaksinuarit.

“Ky rekomandim i përgjigjet rritjes së ndjeshme të marrjes së vaksinave dhe përhapjes së shpejtë të certifikatës Dixhitale të BE-së për Covid dhe zëvendëson rekomandimin e mëparshëm ekzistues”, thuhet në një deklaratë nga Këshilli Evropian.

Ky udhëzim i cili u njoftua të martën, thekson se “vaksinimi, testimi ose statusi i rikuperimit të një udhëtari ndaj Covid-19, siç dëshmohet nga një Certifikatë e vlefshme dixhitale Covid e BE-së, duhet të jetë përcaktuesi kryesor” për udhëtimet brenda Evropës. /albora.ch/

Marketing