Shqiptarët janë kthyer në qendër të vëmendjes në politikën britanike dhe atë mediatike.

Marketing

Sipas tyre emigrimi i paligjshëm i qytetarëve shqiptarë ka një ndikim të madh edhe në shoqërinë britanike.

Sot, prestigjiozja britanike ‘The Telegraph’ ka publikuar një artikull për shqiptarët që punojnë në Britani të Madhe dhe paratë e fituara aty ua dërgojnë familjarëve në Shqipëri.

‘Shqiptarët shijojnë paratë nga Britania e Madhe, por ekziston një anë e errët’, është titulli i ‘Telegraph’.

‘I pyetur përse shqiptarët duan të vijnë në Britani të Madhe, Besnik Cahani qesh dhe tregon me gisht nga xhepat e tij. 58-vjeçari i di shumë mirë përfitimet e asaj që djali i tij bëri 7 vite më parë duke u fshehur në një kamion’, shkruan Telegraph.

‘Ai po dërgon 100 Paund këtu dhe xhepi im po ‘fryhet’ me para shqiptare. Ndonjëherë për Krishtlindje ose Vit të Ri ai dërgon 200 Paund’, Cahani për Telegraph.

‘Teksa qëndronte në rrugët me gropa të Kukësit, një qytet i vogël në veri të Shqipërisë, shumë nga BMË-të dhe Mercedesët që kalonin ishin me targa të Britanisë së Madhe. Makinat luksoze të importuara, disa prej të cilave vidhen ose blihen dhe importohen me para kriminale’, janë kthyer në një simbol në të gjithë këtë rajon. Dhe nuk janë vetëm makinat.

Kamza, në periferi të kryeqytetit, është një nga zonat me rritjen më të shpejtë. Aty ku 25 vite më parë kishte arra, sot ka qindra shtëpi 3-katëshe që rrallë shihen në vend, të gjitha të ndërtuara me para që punëtorët e huaj u kanë dërguar familjarëve të tyre.

Joshja është kaq e madhe saqë në shumë nga zonat më të varfra të veriut të Shqipërisë nuk ka mbetur asnjë djalë i ri dhe po largohen çdo ditë. Ata tundohen nga bandat që promovojnë një mënyrë jetese fiktive dhe reklamojnë në TikTok mënyra të lira kalimi drejt Britanisë’, shkruan Telegraph në artikullin e saj.

Telegraph sjell në vëmendje vizitën në Kukës të ambasadorit të Britanisë në Shqipëri, Alastair King-Smith, i cili u kërkoi prindërve që të mos lejojnë fëmijët të shfrytëzohen nga trafikantët, si dhe premtoi investime në këtë zonë.

‘Por qytetarët në Kukës nuk kanë dëgjuar për këtë investim’, shkruan Telegraph.

‘Nuk ka mbetur asgjë këtu. Ne kemi mbaruar’, tha Fabiani, një 35-vjeçar që punon kamarier për 150 Euro dhe shpreh shqetësimin se e ka të pamundur të mbajë familjen.

‘Çdo ditë njerëzit largohen. Nëse dhe unë do të mundesha, do largohesha menjëherë’, shtoi ai për Telegraph.

Prestigjiozja britanike ka intervistuar edhe ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Panariti.

‘Rrënjët e problemit janë në Shqipëri. Nëse pyesni të rinjtë se çfarë mendojnë për të ardhmen e tyre, ata do t’ju thonë se këtu nuk kanë të ardhme dhe se duhet të largohen. Pagat janë të ulëta, kostot e jetesës po rritet. Njerëzit nuk mund të gjejnë punë, nuk mund të përballojnë arsimin ose kujdesin shëndetësor.

Ndërkohë, përfitimet nga emigracioni i paligjshme ose krimi pritet të amnistohen. Çdo shtetas shqiptar që jeton brenda ose jashtë vendit mund të investojë 2 milionë Euro në sistemin bankar, sipas asaj që planifikon qeveria në Tiranë. Ata mund të mbajnë paratë në këmbim të tatimit deri në 10%.

Në një vend që merret me çështje të tilla si pastrimi i parave dhe korrupsioni, kjo nuk e dekurajon emigracionin e paligjshëm dhe as veprimtarinë e paligjshme. Ne duhet të ofrojmë shpresë për njerëzit që ata të qëndrojnë këtu. Vendi ynë po kthehet në një shkretëtirë, duhet ta ndalojmë këtë valë’, deklaroi Panariti për The Telegraph.

‘Kur kontaktuam Ministrinë shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme nuk ju përgjigj pyetjeve në lidhje me korrupsionin dhe planeve për amnisti fiskale. Por për mijëra njerëz si z.Cahani, jeta e të cilit është transformuar, do të duhet më shumë se një premtim për vende të reja pune për ta bindur atë se nuk ka një të ardhme më të mirë në Angli’, shkruan Telegraph në artikull.

Marketing