Nëntëmbëdhjetë fëmijë dhe dy në moshë madhore kanë vdekur nga të shtënat në një shkollë fillore në jug të Teksasit.

Marketing

Një sulmues 18-vjeçar hapi zjarr në Shkollën Fillore Robb, në qytetin Uvalde, përpara se të vritej nga forcat e sigurisë, thanë zyrtarët.

Hetuesit thanë se sulmuesi kishte qenë i armatosur me një pistoletë, me një pushkë gjysmë-automatike të llojit AR-15 dhe kishte pasur karikatorë me kapacitet të lartë.

Adoleshenti dyshohet se fillimisht ka qëlluar gjyshen e tij dhe më pas ka vazhduar sulmin.

Mediat lokale raportuan se ai mund të ketë qenë nxënës i një shkolle të mesme në atë zonë.

Shefi i policisë për qarkun e pavarur të shkollës Uvalde, Pete Arredondo, tha se të shtënat kishin filluar në orën 11:32 sipas kohës lokale gjatë së martës, dhe hetuesit besojnë se sulmuesi ka “vepruar i vetëm gjatë këtij akti të tmerrshëm”.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha se sulmuesi, të cilin ai e identifikoi si Salvador Ramos, e braktisi veturën e tij para se të hynte në shkollë dhe të hapte zjarr “në mënyrë të tmerrshme dhe të pakuptueshme”.

Një prej personave të rritur që është vrarë ishte mësuese. Mediat amerikane e kanë identifikuar viktimën si Eva Mireles.

Në shkollën Robb vijojnë mësimin klasat e dyta, të treta dhe të karta dhe nxënësit janë nga mosha shtatë deri në dhjetë vjeç.

Agjencia Associated Press raportoi se zyrtarët e patrullës kufitare amerikane gjendeshin afër kur filluan të shtënat dhe menjëherë shkuan në shkollë duke e vrarë sulmuesin, i cili gjendej pas një barrikade.

Uvalde, që gjendet rreth 126 kilometra larg kufirit me Meksikën, është shtëpi e një stacioni të patrullës kufitare.

Dy zyrtarë kufitarë raportohet se kanë shkëmbyer zjarr me sulmuesin. Një prej zyrtarëve është qëlluar në kokë, thanë autoritetet, duke shtuar se të dy aktualisht janë në gjendje stabile dhe po marrin trajtim në spital.

Spitali Uvalde Memorial më herët ka raportuar se 13 fëmijë ishin dërguar në spital përmes autoambulancave apo autobusëve. Ndërkaq, një spital tjetër në këtë zonë tha se një grua 66-vjeçare dhe një vajzë dhjetëvjeçare ishin në gjendje të rëndë shëndetësore.

Gjatë një fjalimi nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ishte “lodhur” nga përgjigjet ndaj të shtënave në masë, duke bërë thirrje për kontroll të armëve.

“Edhe sa shumë fëmijë të vegjël që panë atë që ndodhi, duhet të shohin shokët e tyre duke vdekur sikur të ishte fushëbetejë. Ata duhet të jetojnë me këtë gjë gjatë gjithë jetës së tyre”, tha Bideni, transmeton REL.

Ai urdhëroi që flamuri amerikan të ulej në gjysmështizë në Shtëpinë e Bardhë dhe në ndërtesat e tjera federale në nderë të viktimave të Uvalde.

Bota dënon të shtënat në Teksas

Lidhur me të shtënat vdekjeprurëse në Teksas kanë reaguar edhe liderët botërorë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Franca ndaj zemërimin me amerikanët mbi të shtënat në Teksas.

“Ne ndajmë shokun dhe dhimbjen me popullin amerikan, por edhe me zemërimin e atyre që po luftojnë për t’i dhënë fund dhunës”, shkroi ai në Twitter.

Edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ishte i “pikëlluar me lajmin për vrasjen e fëmijëve të pafajshëm në Teksas”.

Papa Françesku tha se ishte “zemërthyer” pas të shtënave në Teksas, ngjarje të cilin ai e quajti “masakër”.

“Është koha t’i themi mjaft trafikut pa kritere të armëve. Le të angazhohemi të gjithë që tragjedi si kjo të mos ndodhin më”, shtoi Ati i Shenjtë.

Të shtënat në shkolla janë rritur në SHBA dhe vitin e kaluar janë regjistruar 26 raste të tilla, tha EdWeek, një organizatë që merret me arsim.

Më 2012, të shtënat në Shkollën Fillore Sandy Hook në Konektikat ishin më vdekjeprurëset. Njëzetë nga 26 viktimat ishin midis moshës pesë dhe gjashtëvjeçare.

https://www.evropaelire.org/a/shba-te-shtena-ne-teksas-/31867056.html

Foto: FB

Marketing