Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, shkruan Albora.ch.

Marketing

Ai në një postim në Facebook, ka thënë se sulmet si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme.

Postimi i plotë:

Zgjedhjet janë e drejtë elementare e secilit qytetar në një vend demokratik.

Policia e Kosovës pasi ka pranuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sot ka asistuar për funksionalizimin e zyreve të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, me qëllim të vazhdimit të procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 18 dhjetorit.

Nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare.

Sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cënohet nga askush.

Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar dhe sjellur para drejtësisë të gjithë kriminelët e përfshirë në sulmet e sotme. Policia do të vazhdojë angazhimet sipas mandatit të saj në gjithë Republikën e Kosovës për ofrimin e sigurisë, garantimin e rendit dhe sundimin e ligjit.

Marketing