Sot janë bërë nëntë vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë ndërmjet  Kosovës dhe Serbisë.

Marketing

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Marrëveshja 15 pikëshe, kishte për qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Por, analistët thonë se marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat në të shumtën e rasteve nuk janë zbatuar, gjithashtu nuk kanë arritur që të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve. Ish ambasadori kosovar, Avni Spahiu, tha për Radio Kosovën se fajtor për këtë është qëndrimi i pandryshueshëm i Serbisë kundrejt Kosovës dhe arroganca e saj gjatë tërë këtij procesi. Sipas Spahiut, një pjesë të fajit për mos suksesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ka edhe Bashkimi Evropian.

“Unë mendoj se nëse nuk do të ketë një draft-marrëveshje për njohje të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve, në këtë moment mund të konsideroj që BE duhet të jetë e detyruar të shpallë edhe dështimin e dialogut. Në këtë, aspekt pala kosovare duhet të jetë konstruktive, që ajo të mos fajësohet për çfarëdo dështimi eventual të këtij procesi”, ka thënë Spahiu

Ish ambasadori Spahiu tha se si shpëtim mund të jetë edhe angazhimi më i përafërt i ShBA-së, në rolin e përfshirjes të drejtpërdrejtë si një partner dhe si një faktor shumë i rëndësishëm, që do të sillte një marrëveshje në kuadër të dialogut.

Ndërkohë, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, tha për Radio Kosovën se edhe pas nëntë viteve nga marrëveshja e parë, nuk ka ndonjë  progres për sa i përket normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet  të dy shteteve.

“Duket që marrëveshjet e arritura deri më tani janë bërë vetëm sa për sy e faqe, që të proklamohet njëra, respektivisht pala tjetër para komitetit ndërkombëtar se po dëshirojnë dialogun. Çështja ka ngecur shumë seriozisht kur vjen në shprehje zbatimi praktik i këtyre marrëveshjeve. Diskursi në të ardhmen duhet të ndryshojë, sepse procese të tilla nuk duhet të mbeten peng të qëndrimeve të palëve. Mendoj që ka ardhur koha që t’i jepet një epilog përfundimtar, pra, të arrihet një marrëveshje përfundimtare”, ka thënë Hoti.

Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013, ndër të tjera, përmban pika që flasin për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe shpërbërjen e strukturave paralele në veri. Një ndër pikat e marrëveshjes ka qenë edhe “pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, apo inkurajojë të tjerët për të bllokuar progresin e anës tjetër në rrugëtimin drejt BE-së”.

Marketing