Robotët do të duken gjithnjë e më shumë si njerëzit në të ardhmen – shkencëtarët japonezë kanë bërë lëkurën për trupat mekanikë (robotët) nga qelizat njerëzore.

Marketing

Edhe pse duket “pak e rrëshqitshme”, një lëkurë e tillë është e papërshkueshme nga uji, mund të rinovohet, ashtu si lëkura e njeriut dhe ka një teksturë si njeriu.

“Është interesante të dëgjosh tingujt mekanikë të një gishti që duket si duhet. Mendoj se lëkura e gjallë është zgjidhja perfekte – për t’i dhënë robotëve pamjen dhe prekjen e qenieve të gjalla, sepse është saktësisht i njëjti material që mbulon trupin tonë”, tha inxhinieri Shoji Takeuchi nga Universiteti i Tokios.

Ekspertët kanë veshur me sukses gishtin funksional me tre nyje të robotit me një prototip të lëkurës të rritur në laborator.

“Gishti duket i lagësht, sepse vjen nga laboratori”, shpjegon Takeuchi, raporton portali “Science Alert”.

Shkencëtarët janë përpjekur të vendosin lëkurë të vërtetë tek robotët më parë, por ata kanë hasur në probleme. Kjo është arsyeja pse ekspertët japonezë kanë provuar një qasje tjetër – krijimin e lëkurës që i jep formë vetes në pajisje.

“Është e vështirë të presësh, ngjitësh ose qepësh ekuivalentin e lëkurës pa dëmtuar indet e buta dhe të brishta. Në vend të kësaj, ne ‘zhytëm’ strukturën robotike në lëngun e kolagjenit dhe qelizat fibroblaste dermale – qelizat më të zakonshme të indit lidhor në lëkurë,” tha studimi.

Kjo shtresë bazë u mbulua më pas me qeliza epidermale, një komponent kryesor i shtresës së jashtme të lëkurës së njeriut. Pa këtë shtresë shtesë, indi nuk do të ishte i papërshkueshëm nga uji.

Megjithëse ky material mund t’i rezistojë shtrirjes dhe tkurrjes së përsëritur të lëvizjeve robotike të gishtërinjve, ai është ende shumë më i dobët se lëkura e njeriut.

Shkencëtarët besojnë se ata mund ta rregullojnë këtë me një përqendrim më të lartë të kolagjenit në lëngun fillestar dhe maturimin më të gjatë të qelizave.

Është interesante se kjo lëkurë artificiale mund të kurohet edhe me një fashë kolagjeni, të cilën qelizat e marrin dhe e integrojnë në sistemin e tyre për të riparuar dëmtimet.

Megjithëse krijimi i lëkurës për robotët është një sukses i madh, indi i rritur në laborator është ende shumë i kufizuar – nuk mund të mbijetojë gjatë jashtë lëngut ushqyes, sepse, ashtu si lëkura e njeriut, kërkon një furnizim të vazhdueshëm me ujë për të parandaluar tharjen.

“Ne jemi të befasuar se sa mirë është përshtatur indi me sipërfaqen e robotit. Por ky hulumtim është vetëm hapi i parë drejt krijimit të robotëve që janë plotësisht të mbuluar me lëkurë të gjallë,” thanë shkencëtarët.

Foto: Universiteti i Tokios

Marketing