Shkencëtarët në Qendrën Evropiane për Kërkime Fizike (CERN) do të nisin këtë javë Përplasësin e madh hadronik (LHC) 28 kilometra të gjatë, makinën që gjeti grimcën bozon të Higgsit.

Marketing

Ky do të jetë lëshimi i parë i LHC-së, përshpejtuesi më i madh në botë për përplasjet e grimcave protonike, pasi u mbyll për shkak të mirëmbajtjes, e cila u zgjat më tej për shkak të pandemisë së COVID-it.

LHC ndodhet nën kufirin midis Zvicrës dhe Francës dhe përbëhet nga një tunel rrethor gati 28 kilometra i gjatë. Është përshpejtuesi më i madh i përplasjes së protoneve, i lëshuar për herë të parë më 10 shtator 2008.

Rindezja e përplasësit është një proces kompleks dhe studiuesit në CERN kanë gjithmonë në dorë një shishe shampanjë nëse gjithçka shkon sipas planit.

“Nuk është thjesht shtypja e një butoni,” i tha Reutersit Rende Sterenberg, përgjegjës për operacionet në dhomën e kontrollit. “Gjithçka zhvillohet në një atmosferë tensioni, nervozizmi”, thonë ata.

Problemet e mundshme mund të lindin për shkak se materialet mund të ‘tkurren’ me një ndryshim të papritur të temperaturës prej 300 gradë, por edhe për shkak të problemeve në funksionimin e mijëra magnetëve që mbajnë miliarda grimca në një rreze të ngurtë ndërsa rrotullohen rreth tunelit.

Sterenberg thekson se sistemi duhet të funksionojë në harmoni të përsosur si një orkestër.

Një seri përplasjesh të grimcave LHC të vëzhguara në CERN midis viteve 2010 dhe 2013 dhanë prova të ekzistencës së grimcës së shumëkërkuar të bozonit Higgsit, e cila, së bashku me fushën e saj të energjisë, mendohet të ketë qenë verdikti për formimin e hapësirës pas Big Bengut para 13, 7 miliardë vitesh.

Bozoni i Higgsit është emëruar pas shkencëtarit britanik Peter Higgs. Që nga viti 1960, bozoni konsiderohet të ekzistojë si pjesë e fushës së Higgsit. Është një fushë kuantike hipotetike e kudondodhur, që është përgjegjëse për dhënien e masës grimcave individuale.

Fizikanët që menaxhojnë LHC-në janë të fokusuar në zbulimin e lëndës së errët të padukshme dhe ende të pazbuluar që përbën 84 për qind të universit dhe lidh galaktikat, por natyra e saj është ende e panjohur. Nëse shkencëtarët mund të zbulojnë dhe përshkruajnë materien e errët, do të jetë një zbulim i madh që do të kontribuojë në kuptimin e universit.

“Ne do të rrisim në mënyrë drastike numrin e përplasjeve dhe në këtë mënyrë probabilitetin e zbulimeve të reja”, tha Sterenberg, duke shtuar se përplasja duhet të funksionojë deri në mbylljen e dytë, e cila do të pasojë nga viti 2025 në 2027.

Në foto: LHC (Wikipedia)

Marketing