Ministri Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Alexander Schallenberg mbërriti sot në Kosovë ku u takua me Presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe më pas u prit nga ministrja Donika Gërvalla në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Marketing

Pas përfundimit të takimit të dy ministrat, Gërvalla dhe Schallenberg, mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Duke nënvizuar bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve në të gjitha fushat, ministri austriak Schallenberg ritheksoi edhe një herë mbështetjen e Austrisë për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për Kosovën dhe po ashtu hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE.

Schallenberg deklaroi se në samitin e radhës mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet më 23 qershor, ai do ta shtrojë temën e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Vizita ime është bërë në këtë kohë qëllimisht, në rajonin që është shumë i rëndësishëm për Austrinë. Mendojmë që sulmi i Rusisë në Ukrainë është një thirrje për të zgjuar BE-në për të trajtuar synimin e anëtarësimit në BE. Është i rëndësishëm edhe premtimi që është dhënë para 19 vitesh në Selanik. Duhet të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe të liberalizohen vizat për Kosovën”, deklaroi Schallenberg gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministren e jashtme Donika Gërvalla.

Kryediplomati austriak deklaroi gjithashtu se bisedoi me ministren Gërvalla edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke shtuar se është e natyrshme që në fund duhet të ketë normalizim të marrëdhënieve dhe njohje e ndërsjellë mes dy vendeve.

Rreth orës 14:45 kryediplomati austriak do të pritet në takim edhe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Marketing