I dërguari special i Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin, deklaroi sot në Beograd se Berlini qëndron për anëtarësimin e vendeve të rajonit në BE dhe jo për “një lloj partneriteti të tyre me Unionin”.

Marketing

Në konferencën “Rigjallërimi i vlerave të BE-së”, organizuar nga Lëvizja Evropiane në Serbi, Saracin theksoi se Gjermania është për hyrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe jo për “një lloj partneriteti të tyre me Unionin”.

“BE-ja vendos një kornizë të qartë në të cilën bëhet bashkimi, edhe nëse nisemi nga pozicione të ndryshme. Ky është momenti perfekt që Ballkani Perëndimor t’i bashkohet këtij klubi. Është e qartë se BE-ja nuk mund të ketë sukses pa një zgjerim të suksesshëm në këtë rajon. “Askush nuk do të besojë në rolin e Unionit në të ardhmen, në luftën midis demokracisë dhe regjimeve autoritare, nëse nuk jemi në gjendje të kemi sukses në zgjerimin në Ballkanin Perëndimor,” tha Saracin, transmeton Danas.

Presidenti i Francës, Emanuel Macron, propozoi dje formimin e një “komuniteti politik europian”, i cili do të përfshijë vendet jashtë BE-së që ndajnë vlerat kryesore evropiane, përfshirë ato që aspirojnë anëtarësimin dhe ato që janë larguar nga Bashkimi.

Saracin tha se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të forcohet duke hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe duke miratuar liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ai tha se të njëjtin mesazh i ka përcjellë presidentit serb Aleksandar Vuçiq në takimin e mëngjesit të sotëm si zyrtarët më të lartë gjermanë javën e kaluar, se Berlini pret që Beogradi t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

Ky harmonizim me vendimet e BE-së nuk duhet të jetë i menjëhershëm, por gradual, tha Saracin.

Saracin njoftoi se sot do të bisedojë me përfaqësuesit e opozitës pro-evropiane në Serbi.

Marketing