Marketing

Derisa po zhvillohet lufta në Ukranë, Bashkimi Evropian ndaloi sot eksportin në Rusi të makinave të saj luksoze, shampanjës, bizhuterive dhe sendeve të tjera të shtrenjta për elitën ruse, në mënyrë që të ndëshkojë stilin e tyre të jetesës luksoze.

Lista e produkteve dhe mallrave luksoze të miratuara nga vendet anëtare të BE-së u publikua sot në Gazetën Zyrtare të BE-së. Lista përmban 14 faqe dhe mbulon produkte nga sektorët e argëtimit, luksit dhe teknologjisë në BE.

Masat e shpallura përfaqësojnë një seri të re sanksionesh që BE ka vendosur kundër Rusisë që nga fillimi i pushtimit të saj në Ukrainë.

Lista përfshin artikuj luksoz si shampanja të vjetra dhe pije të tjera alkoolike, tartuf, havjar, parfume, kozmetikë, artikuj lëkure, veshje të shtrenjta, rruaza, diamante, elektronikë, orë, instrumente muzikore, pajisje sportive, konzolla video, jahte, antike dhe vepra të artit.

“Ata që mbështesin makinën e luftës (të presidentit rus Vladimir) Putin nuk duhet të shijojnë më stilin e tyre të jetës luksoze, ndërsa bombat bien mbi njerëzit e pafajshëm në Ukrainë”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Eksporti ynë i këtyre mallrave në Rusi vitin e kaluar arriti në 3.5 miliardë euro. Kjo është një pjesë relativisht e vogël e totalit të eksportit tonë të mallrave luksoze nga BE-ja në botë, e cila arrin në rreth 80 miliardë euro në vit”, deklaruan shërbime të ndryshme të Komisionit Evropian. /albora.ch/

Marketing