Urim Elezi nga Korça, i dënuar politik i cili vuajti më tepër se 3 dekada nëpër burgje të ndryshme të Shqipërisë komuniste, mes dhimbjeve nga kujtimet, rrëfen torturat e përjetuara për vite me radhë.

Marketing

“Dru, po ato që me kanë mbetur fiksim dhe i shoh natën ëndërr sot e kësaj dite; një dollap sa me zinte koka dhe koka në ujë. Thyerje gishtash”, rrëfen ai.

Përveç faktit që kaloi të gjithë rininë në burgje, Urimi humbi dhe shikimin në birucat e izolimit.

“Po bëj 40 vite, në 8 dhjetor të këtij viti mbush plot 40 vite, në orën 9. Më rrahën me dru, me shkopinj gome, me grushte, me shkelma në Burrel. Në 8 dhjetor ’81, ora 9. Që pres asaj dite deri më sot, jetoj në burgun e errësirës pa fund. Pa mure, pa ngjyra, pa shoqëri”, kujton Urimi.

Për të sot kujdeset bashkëshortja. Tentativa për t’u larguar nga Shqipëria e asaj kohe bëri që Urimi të kalbej burgjeve. Sot, ai dëgjon që të rinjtë po ikin masivisht, Por dëshira e tij është krejt e kundërta.

“Ky [Edi Rama] për ndihmë na dha më shume se Berisha, por ky na i bëri si punë e ujkut. Këtej tagjinë deles, këtej dashit, këtej ujkun aty. Kjo nuk me duket ndihmë mua. Nuk e dua këtë ndihmë kur populli po ikën. Pa shqiptarë s’ka Shqipëri. Pa atdhe s’ka shqiptarë. Po ikin, po lënë atdheun. Po ikin. Unë jam i verbër, por dëgjoj lajme se s’kam ç’bëj, e me rrëqethet trupi, më shkojnë lotët si fëmijë. Pa shqiptarë, ka atdhe?” thotë ai.

Në qarkun e Korçës 218 persona u pushkatuan nga regjimi komunist, 32 të vdekur në burgje, e 13 të tjerë që kanë humbur aftësitë mendore nga dhuna barbare. /Euronews Albania/

Marketing