Gazeta britanike “The Telegraph” e ka cilësuar Barcelonën si qytetin më të mirë në botë për kulturën, gastronominë, historinë dhe hotelet me 5 yje.

Marketing

Me një klimë fantastike, ushqim të shumëllojshëm, plazhe spektakolare, por gjithashtu me atraksione të shumta historike e kulturore, Barcelona mahnit gjithmonë turistët nga e mbarë bota. Përveç bukurive natyrore dhe trashëgimisë historike, kryeqyteti i Katalonjës shquhet edhe për nismat e shumta novatore.

Një nga këto nisma ka të bëjë me të ashtuquajturat shtigjet letrare, që shërbejnë për të promovuar identitetin dhe traditën krijuese e kulturore të qytetit.

Turistët kanë mundësi të ndjekin “hartën letrare” të qytetit, me rrugë që përshkohen nga romane dhe tregime të shkurtra, si dhe me itinerare që kalojnë përmes 300 librarive dhe 40 bibliotekave publike.

“Mirador Torre Glories”, është një observator nga i cili mund të soditësh Barcelonën përmes një ekspozite që ndërthur artin dhe shkencën, duke u shndërruar kështu në një hapësirë shumëfunksionale.

Në një lartësi prej 125 metrash, me kupolën në katin e 30-të, nga ku shijohet një pamje unike 360 gradë, instalacioni është një vepër e artistit bashkëkohor Tomás Saraceno.

Një tjetër nismë e Barcelonës është ajo për turizmin shkencor. “Barcelona, destino ciencia” ofron 7 itinerare shkencore dhe vizita në 46 qendra studimore dhe teknologjike.

Ky tur u ofrohet veçanërisht atyre që marrin pjesë në konferenca mjekësore, shkencore dhe teknologjike, por edhe publikut të gjerë që është në kërkim të propozimeve të larimshme turistike. CosmoCaixa, Observatorit Fabra, Akademia Mbretërore e Shkencave dhe Artit, Akademia Mbretërore e Mjekësisë dhe Parku i Studimeve Biomjekësore, janë vetëm një pjesë e këtij turi.

Programi përfshin 7 itinerare tematike, ndër të cilat veçohen vizitat në distriktin 22@ dhe Poblenou, ku mund të shihet e kaluara e tyre industriale dhe shndërrimi i sotëm, falë zhvillimit teknologjik.

Të dyja këto zona shquhen për parametrat e tyre urbanistike, si dhe ndërtesat që shfrytëzojnë energjinë e rinovueshme. Pjesë e këtij itinerari është dhe historia e termocentralit të parë në Spanjë, homazhet për gratë që ndryshuan botën e shkencës dhe vendet që vizitoi Albert Einstein në vitin 1923.

Marketing