Gjermania synon të lejojë në të ardhmen mbi 50 mijë punëtorë të pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor që të vijnë për të punuar në Gjermani.

Marketing

Këtë e miratoi qeveria gjermane të mërkurën në kuadër të projektligjit të ri të emigrimit të fuqisë punëtore. Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil, tha në konferencën e shtypit në Berlin se ky kontingjent do të dyfishohet nga 25.000 që është aktualisht në maksimumi 50 mijë vetë në vit. Por ministri shtoi se ka plane që kjo rregullore të zgjerohet edhe për vende të tjera.

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor ekziston që nga viti 2015 dhe u mundëson shtetasve të gjashtë vendeve të BP (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia) qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës, pavarësisht nga kualifikimi që kanë.

Parakusht për të marrë vizën e punës është një kontratë pune e rregullt në Gjermani. Nuk nevojiten as njohuri të veçanta të gjuhës gjermane.

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor është në fuqi deri në fund të vitit 2023, por në draftin e ri të ligjit të emigracionit është parashikuar që ajo të bëhet pa afat.

Marketing