Përfaqësuesit e Qeverisë së Shqipërisë dhe partitë opozitare janë përplasur për sigurinë kibernetike gjatë seancës parlamentare të 6 tetorit.

Marketing

Opozita e akuzoi Qeverinë e kryeministrit Edi Rama, se ka shpërdorur miliona lekë, por sistemet qeveritare ishin cak i sulmeve, për të cilat Tirana ka fajësuar Teheranin.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, tha se sulmeve të tilla nuk u shpëtojnë as shtetet më të zhvilluara. Sulme të tilla ndodhin “edhe në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian dhe nuk është gjithnjë e mundur të parandalohen”, tha ajo.

Xhaçka u kërkoi deputetëve që të tregonin unitet përballë kësaj situate, dhe jo të ngrenë akuza për investimet e kryera.

“Rezultati i sulmit nga hakerët iranianë do të kishte qenë shumë ndryshe nëse nuk do të kishim investuar, aq sa kemi investuar për mbrojtjen e tyre. Sistemet tona rezistuan, ky është fakt dhe sot janë tërësisht funksionale. Ajo që dua t’i jap të drejtë kolegëve, është nevoja për të bërë më shumë në këtë drejtim. Jemi duke bërë pikërisht këtë, po punojmë me aleatët tanë të BE-së dhe të NATO-s. Ky është moment delikat që thërret për bashkim sepse vendi ynë është bërë pre e një agresioni të pajustifikuar”, tha Xhaçka.

Këtyre deklaratave iu përgjigj deputeti i subjektit opozitar, Partisë Demokratike, Helidon Bushati, duke e akuzuar ministren për “manipulim”.

“Ministrja tha se sulmohen edhe vende të tjera, por po manipuloni opinionin publik. Për 14 muaj kemi qenë të hakuar, kanë marrë të gjithë të dhënat. AKSHI [Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit] ka dështuar me sukses të plotë. Kjo ka qenë arritja e këtij institucioni”, tha Bushati.

Drejtorja e AKSHI-së, Mirlinda Karçanaj, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, janë thirrur për të raportuar javën e ardhshme në Komisionin parlamentar të Sigurisë për sulmet kibernetike dhe masat që duhet të ishin ndërmarrë për parandalimin e tyre.

Sulmi ndaj sistemeve qeveritare të Shqipërisë ndodhi më 15 korrik të këtij viti. Vetëm gjashtë ditë më vonë u arrit të riktheheshin në funksion 1.118 nga 1.225 shërbimet elektronike. Si pasojë e këtij sulmi, institucionet u detyruan të pezullojnë regjistrimin e fëmijëve në kopshte dhe shkolla. Gjithashtu u pezulluan edhe shërbimet për aplikimin dhe pajisjen me dokumente të identifikimit.

Më 7 shtator, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se sulmi ishte orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, që kishte angazhuar katër grupe, mes të cilave dhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar. Për këtë arsye Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin duke dëbuar ambasadorin dhe gjithë stafin e ambasadës iraniane në Tiranë.

Ndërkaq më 9 shtator 2022 u sulmua sistemi TIMS, duke shkaktuar probleme të mëdha në lëvizjen e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në pikat kufitare të Shqipërisë.

Vetëm një ditë më pas, u publikua video e momentit kur punonjësit e policisë në aeroportin e Rinasit zbuluan se sistemi TIMS kishte qenë cak i sulmeve kibernetike. Video u publikua në faqen e grupit “HomeLand Justice” në Telegram.

Pas këtyre sulmeve, Shqipëria mori mbështetjen e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Republikës Islamike për shkak të sulmeve ndaj Tiranës zyrtare.

Irani ka mohuar se qëndron pas sulmeve kibernetike ndaj sistemeve të Qeverisë shqiptare.

Marketing