Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu është takuar me ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Panamasë, Erika Mouynes.

Marketing

Në takim me ministren Mouynes është rikonfirmuar gatishmëria e dy vendeve tona për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në politikën e jashtme, duke përfshirë mbështetjen e palëkundur të Panamasë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Ndër të tjera, presidentja Osmani dhe ministrja Mouynes kanë diskutuar për situatën aktuale në rajon, Evropë dhe më gjerë, si dhe nevojën për të qëndruar të bashkuar kundër akterëve antidemokratik, të cilët kanë qëllim destabilizimin dhe kërcënimin e vlerave tona të përbashkëta liridashëse.

Pas takimit, Presidentja Osmani dhe ministrja Mouynes i janë drejtuar një audience akademikësh dhe diplomatësh në një panel të përbashkët mbi rolin e gruas në politikë.

Presidentja deklaroi që fuqizimi i grave në politikë është thelbësor për ndërtimin e demokracive të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

“Përpjekjet tona nuk do të pushojnë deri atëherë kur vajzat e gratë do të ndihen që kontributi dhe roli i tyre në shoqëri është i njohur dhe i vlerësuar”, citohet të ketë thënë Osmani.​ 

Marketing