Sportistët kosovarë po vazhdojnë t`ia zbardhin fytyrën Kosovës.

Marketing

Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Andi Zeqiri, Milot Rashica janë disa nga futbollistët më të njohur kosovarë në rruzullin tokësorë.

Po ashtu, Kosova u bë e njohur në arenën ndërkombëtare falë xhudisteve, si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, të cilat kanë fituar medalje të shumta.

Por, një fat të tillë sikurse që e kishte Mjalinda Kelmendi e cila u shpall kampione e botës nuk e ka boksieria Donjeta Sadiku.

Donjeta Sadiku

Kjo e fundit, nuk mund të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit që ka filluar të mbahet nga 14 marsi deri më 26 mars të vitit 2023 në New Delhi të Indisë. Krejt kjo po i mohohet Sadikut për shkaqe poltike, pasi që India është një shtet që ende nuk e njeh pavarsinë e Kosovës.

Boksieria Sadiku qysh në janar i kishte dorëzuar dokumentacionin e kompletuar për vizë.

Këtë e ka konfirmuar edhe Federata e Boksit Amator të Kosovës.

“Ndonëse Komiteti Olimpik i Indisë dhe Federata e Boksit të Indisë në bashkëpunim me Asociacionin Ndërkombëtar të Boksit (IBA) kanë dërguar kërkesën në Ministrinë e Jashtme të Indisë që të pajiset me viza ekipi i Kosovës, ende nuk është duke u pritur përgjigje. Ditët po afrohen dhe më 13 mars ekipi i Kosovës është paraparë të udhëtojë. Po presim përgjigje pozitive”, thuhet nga Federata e Boksit.

Por, kjo përgjigje erdhi nga India në ditë kur filloi Kampionati Botëror i boksit, por për kushtëzime.

India ka kërkuar që Sadiku të garojë pa simbole shtetërore.

Sipas, Komiteti Olimpik të Kosovës kjo u bë për arsye politike dhe për këtë Sadiku nuk mund të marrë pjesë.

“Donjeta Sadiku për arsye politike nuk do të mund të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit për femra në Nju Delhi të Indisë.

India donte që boksieria jonë të mund të garonte pa simbole kombëtare si flamuri dhe himni i refuzuar nga #FBoxK,”, thuhet në njoftimin e Komiteti Olimpik të Kosovës.

Twitter/ KOK/Donjeta Sadiku

Sadiku është shprehur e indinjuar duke thënë se është hera e tretë që Qeveria e Indisë nuk e lejon të marrë pjesë në Kampionat Botëror.

“Unë nuk e di se përse IBA ia lejoi Indisë organizimin e këtij Botërori, duke e ditur që ky vend nuk më lejoi të merrja pjesë në të kaluarën. Është hera e tretë që Qeveria e Indisë nuk më lejon të marr pjesë në Kampionat Botëror. Jam mjaft e dëshpëruar, e zhgënjyer, kam ushtruar shumë dhe isha mjaft e motivuar të merrja medalje në Indi”, ka thënë Sadiku.

Gjithashtu, boksieria e ka quajtur këtë vendim të padrejtë, duke kërkuar që të rishqyrtohet edhe njëherë nga India.

“Përmes kësaj videoje i bëjë thirrje Qeverisë së Indisë që ta rishqyrtojë vendimin e saj dhe të më lejohet garimi me Republikën e Kosovës dhe me të gjitha të drejtat që më takojnë”, ka deklaruar ajo.

Kurse, KOK ka reaguar sërish duke njoftuar se kushtet e vendosura nga India i bëjnë të merrin vendim që ekipi i Kosovës të mos udhëtojë drejt këtij shteti.

“Organizatori i Kampionatit bëri me dije se pjesëmarrja e boksieres tonë mund të bëhet vetëm me dy kushtet e vëna: Flamuri i Kosovës dhe himni shtetëror nuk do të përdoren në ndonjërën nga ceremonitë gjatë kampionatit botëror, si dhe pjesëmarrësit e Kosovës nuk do të lejohen të bartin flamurin e tyre, qoftë edhe në veshjet e tyre në formë të printuar.

Duke parë këto kushte dhe diskriminimin e bërë nga shteti i Indisë, FBOXK në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, vendosi të mos udhëtojë fare drejt Indisë”, thuhet në njoftimin e KOK-it.

Për tërë këtë padrejtësi që iu bë Sadikut ka reaguar edhe presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani e cila e quajti një shkelje flagrante nga India.

“Vendimi për ta penguar Donjeta Sadikun për të marrë pjesë në Botërorin e boksit është shkelje flagrante e standardeve ndërkombëtare sportive.

Si një anëtare e IBA-s, Kosova ka të drejtë të marrë pjesë nën flamurin dhe himnin e saj.

Ne i bëjmë thirrje Indisë ta rishqyrtojë vendimin e saj”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Albora.ch

Marketing