Policia gjermane vazhdoi të enjten përpjekjet për të larguar qindra protestues për klimën që janë ngujuar në Luetzerath, me qëllimin për të penguar prishjen e kësaj qyteze dhe zgjerimin e një miniere qymyrguri.

Marketing

Policia e filloi operacionin të martën pasi një gjykatë rajonale vendosi të hënën të refuzojë padinë më të fundit ligjore nga protestuesit ku kërkohej ndalimi i shkatërrimit të qytezës së gjendur në landin perëndimor Rhine i Veriut-Westphalia.

Kompania RWE kërkon të nxjerrë qymyrguri nga toka nën qytezën Luetzerath, dhe është shprehur se kjo është e nevojshme për sigurinë energjitike të Gjermanisë. Kompania arriti një marrëveshje me pushtetin lokal vitin e kaluar, duke i lejuar kështu prishjen e qytezës në këmbim të dhënies fund të përdorimit të qymyrit deri në vitin 2030.

Por, protestuesit, disa prej të cilëve kanë qëndruar në këtë qytezë për dy vite, thonë se prishja e godinave për të zgjeruar minierën Garzweiler mund të rezultojë në sasira të mëdha gazesh ndotëse. Qeveria dhe kompania thonë se qymyrguri është i nevojshëm për sigurinë energjitike të vendit.

Megjithëse u njoftua se shumë prej protestuesve u larguan vullnetarisht, pati njoftime edhe për përplasje me policinë, gjatë të cilave u hodhën gurë dhe fishekzjarre. Agjencia e lajmeve Reuters mësoi nga një punonjës i policisë vendore se ishin ndaluar pesë persona.

Largimi i personave që nuk dëshirojnë të ikin nuk do të jetë i lehtë, pasi qyteza ka shtëpi dhe godina të shumta brenda të cilave janë ngujuar protestuesit, ose kanë hipur nëpër çati.

Një zëdhënës i policisë i tha agjencisë së lajmeve AFP se operacioni “mund të zgjasë me disa javë”, dhe se një tjetër demonstratë pritej të zhvillohej të shtunën. Në demonstratë pritej të marrin pjesë figura publike, si Greta Thunberg, dhe aktivistë të tjerë të rëndësishëm, duke u dhënë kështu mbështetje protestuesve.

Marketing