Kameramani i agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, Albion Selitaj, ka përfunduar në pranga gjatë aksionit të sotëm që Policia e Kosovës ka zhvilluar në komunën e Suharekës.

Marketing

Selitaj ishte duke përcjellur konferencën për medie të organizuar nga menaxhmenti i ndërmarrjes “Agro Kosova”, të cilës Agjencia Kosovare e Privatizimit i ishte kërkuar që të lirojë objektin, shkruan Albora.ch.

Policia kishte shkuar që të urdhëronte lirimin e objektit, dhe në atë moment iu kishte kërkuar edhe gazetarëve të dilnin jashtë.

Kameramani iu kërkon policëve që të mos i bëjnë presion sepse ai do të dalë vetë nga aty, por duke u kujdesur që mos ta dëmtojë kamerën.

Pavarësisht kërkesës së Selitaj, Policia e arreston në mënyrë të dhunshme duke e tërhequr nga aty bashkë me mjetin e tij të punës.

Pasi u lirua nga stacioni policor, Selitaj ka folur para medieve duke thënë se ka të drejtë me ushtru detyrën e tij dhe se njësia speciale është sjellë tepër vrazhdë.

“Unë kam të drejtë me ushtru detyrën time si kameraman, nuk është detyrë e imja me u frikësu prej policisë qëllimi ka qenë me përcjellë ngjarjen. Për njësinë speciale janë sjellë tepër vrazhdë, qëllimi s’ka qenë me na nxjerr neve mediave jashtë. Rezistenca ime ishte me na leju me kry punën tonë me xhiru ngjarjen unë s’pata me policinë, unë vi me xhiru asgjë më shumë ata insistiojshin me dalë jashtë.Në atë insistim kanë reagu tepër shpejtë dhe e konsideruan se po e pengojmë punën e policisë, por trajtimi ka mundur të jetë më adekuat”, tha ai.

Selitaj është shprehur se në stacionin policor në Suharekë policia ka pasë sjellje korrekte.

E lidhur me këtë rast, ka pasur reagime të shumta nga përfaqësues të medieve dhe shoqërisë civile, të cilët e kanë konsideruar si të papranueshëm arrestimin e kameramanit.

Asociacioni i gazetarëve të Kosovës ka dënuar arrestimin e kameramanit të agjencisë së lajmeve ‘Ekonomia Online’, ndërkohë që ai po mbulonte ngjarjen nga ndërhyrja e AKP-së për të marrë në menaxhim zyrat e ndërmarrjes “AgroKosova Holding”.

AGK e ka quajtur joprofesionale sjelljen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës./albora.ch/

Marketing