ÇIKAGO – Pesë persona u vranë dhe të paktën 19 të tjerë janë shtruar në spital pas një sulmi me armë zjarri në një rrugë ku po mbahej një paradë me rastin e katër korrikut, në periferi të Çikagos, në Highland Park.

Marketing

Dëshmitarët thanë se kishin parë trupa të gjakosur të mbuluar me batanije, ndërkohë që qindra njerëz vraponin për t’iu larguar rrezikut.

Gazeta “The Chicago Sun-Times” raportoi se parada filloi rreth orës 10 të paradites, por se u ndal papritur vetëm 10 minuta më vonë pasi filluan të shtënat me armë.

Qindra pjesëmarrës në paradë, disa qartësisht të gjakosur, iu larguan trajektores së paradës, duke lënë pas karrige, karroca fëmijësh dhe batanije.

Policia u bëri thirrje njerëzve të largohen duke theksuar se zona nuk ishte e sigurt.

Në një video të filmuar nga gazetari i “The Chicago Sun-Times” pasi filluan të shtënat, shfaqet një grup muzikor që vazhdon të luajë muzikë mbi një platformë të lëvizshme, ndërkohë që njerëzit vrapojnë duke bërtitur. Një foto e publikuar në mediat sociale duket se tregon pellgje me gjak nën karriget e përmbysura në Highland Park.

Gina Troiani dhe djali i saj ishin rrjeshtuar së bashku me fëmijët nga kopshti i tij, gati për të ecur përgjatë trajektores së paradës, kur ajo dëgjoi një zhurmë të lartë që fillimisht mendoi se ishin fishekzjarre, derisa dëgjoi njerëzit që bërtisnin se kishte një sulmues të armatosur.

“Filluam thjesht të vraponim në drejtimin e kundërt”, i tha ajo agjensisë së lajmeve Associated Press.

Djali i saj 5-vjeçar po i jepte biçikletës së tij të dekoruar me shirita në ngjyrë të kuqe dhe blu. Ai dhe fëmijët e tjerë të grupit mbanin flamuj të vegjël amerikanë. Në njoftimin në internet, bashkia thoshte se pjesë e festimeve do të ishin edhe një paradë e fëmijëve me biçikleta dhe e kafshëve shtëpiake.

Zonja Troiani tha se shtynte biçikletën e të birit, ndërsa vraponin përmes lagjes për t’u rikthyer tek makina e tyre.

Në një video që zonja Troiani filmoi me telefonin e saj, disa nga fëmijët shfaqen dukshëm të befasuar nga zhurma e madhe dhe mblidhen në një anë të rrugës, ndërsa një sirenë dëgjohet aty pranë.

“Ishte thjesht një lloj kaosi”, tha ajo. “Kishte njerëz që u ndanë nga familjet e tyre dhe i kërkonin. Të tjerët thjesht hodhën karrocat me sendet e tyre, kapën fëmijët e tyre dhe filluan të vrapojnë”.

Guvernatori i shtetit Illinoi, J.B. Pritzker tha në një postim në Twitter se ai “po monitoron nga afër situatën në Highland Park” dhe se Policia e Shtetit e Illinoit është duke ndihmuar.

Zyra e Sherifit të Qarkut Lake tha në Twitter se po ndihmon policinë e Highland Park për “të shtënat në zonën e rrugës së paradës së Ditës së Pavarësisë”. Zyra e sherifit udhëzoi një gazetar të agjensisë së lajmeve Associated Press që të kontaktonte policinë në Highland Park. Departamenti i Policisë tha se asnjë zyrtar nuk ishte në dispozicion të menjëhershëm për të diskutuar incidentin.

Debbie Glickman, një banore në Highland Park, tha se ajo ishte në një paradë me kolegët e saj dhe grupi po përgatitej të kthehej në rrugën kryesore kur pa njerëz që vraponin nga zona.

“Njerëzit filluan të thonë: ‘Ka një sulmues, ka një sulmues, ka një sulmues”, tha zonja Glickman për agjensinë e lajmeve Associated Press. “Kështu që ne thjesht vrapuam. Thjesht vrapuam. Është si një kaos masiv atje poshtë”.

Ajo nuk dëgjoi asnjë zhurmë dhe nuk pa askënd që dukej se ishte i plagosur.

“Jam shumë e trembur”, tha ajo. “Është shumë e trishtueshme”.

Foto: Twitter

Marketing