Greva e përgjithshme e thirrur nga BSPK-ja dhe të cilës i është bashkuar edhe SBASHK-u ka bërë që nxënësit t’i gjejë 1 shtatori në shtëpi.

Marketing

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në konferencë për media të mërkurën, ka thënë se nxënësit nuk kanë pse të vijnë në shkollë më 1 shtator, pasi është grevë.

“Grevën nuk po e bëjnë individët, por është vullnet i shprehur nga punëtorët e arsimit”, tha ai.

Ndërkohë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje mësimdhënësve që më 1 shtator të fillojë mësimi. Ajo në konferencë të mërkurën kishte thënë se ka disa shkolla që nuk i janë bashkuar grevës.

E nga Ministria e Arsimit u është thënë prindërve të komunikojnë me mësimdhënësit e shkollat për të mësuar nëse do të ketë mësim.

“Nesër, më 1 shtator, fillon viti i ri shkollor për të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë në Republikën e Kosovës. Të nderuar qytetarë, në dy vitet e kaluara kemi pasur pengesa të fillojmë me kohë vitin shkollor, si pasojë e pandemisë COVID-19, e cila ka ndikuar në çrregullimin e procesit mësimor dhe ka shkaktuar humbje të konsiderueshme mësimore. Edhe ky vit shkollor do të jetë sfidues, për shkak të krizës globale ekonomike dhe asaj të energjisë, të cilat janë jashtë kontrollit tonë. Përkundër faktit se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, fillimi i suksesshëm i vitit shkollor vihet në pikëpyetje për shkak të grevës së deklaruar nga BSPK-ja, së cilës i është bashkëngjitur edhe SBASHK-u. Përderisa legjislacioni ynë e njeh të drejtën e të gjithë punëtorëve për grevë, e njeh edhe të drejtën për të punuar të atyre të cilët nuk janë pjesë e grevës”, thuhet në njoftim të ministrisë. “Kryetari i SBASHK-ut dhe askush tjetër përveç autoriteteve qendrore dhe lokale të përcaktuara me legjislacion, nuk ka të drejtë të shpallë mbylljen e shkollave për çfarëdo arsye, as t’i pengojë të punojnë ata që duan të punojnë. Presionet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme. Ndërkaq, spekulimet se, me ardhje në shkollë, mund të cenohet siguria e fëmijëve nuk kanë asnjë bazë”.

SBASHK-u po kërkon nga 100 euro shtesë për mësimdhënësit deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave. Po ashtu po kërkon që të përfshihet në dialog për Ligjin e Pagave.

Këshilli i Prindërve i Kosovës e ka quajtur të papranueshme grevën dhe ka kërkuar lëvizje nga Qeveria dhe sindikatat.

“Lusim të dyja palët që të lëvizin nga qëndrimet aktuale dhe t’i japin mundësi dialogut. Këshilli i Prindërve i Kosovës do të angazhohet për të fuqizuar rolin e vet në arsimimin parauniversitar”, thuhet në dy konkluzat e fundit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media të mërkurën ka thënë se ekzekutimi i pagave në sektorin publik është bërë i pjesshëm për muajin gusht, për shkak të vonesave në procesimin e listave të grevistëve.

“Kemi konsideruar të padrejtë që të shkojmë në ndalesë uniforme por kemi dashur të kërkojmë nga komunat të na njoftojnë për vullnetin e lirë të pjesëmarrësve, nëse kanë marrë pjesë në grevë apo jo. Nisur nga këto ne kemi parë të nevojshme dhe të arsyeshme që të shikojmë ato lista, prandaj nuk kemi arritur që të procedojmë me pagesën e pagave në ditën e sotme”, ka thënë Murati.

Marketing