Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Bullgari, është pritur sot në takim nga kryetari i Kuvendit Kombëtar të Bullgarisë, Vezhdi Rashidov, shkruan Albora.ch.

Marketing

Në takim me kryetarin Rashidov, Presidentja Osmani ka falënderuar Bullgarinë për mbështetje ndaj Kosovës, duke kërkuar që ajo të vazhdojë edhe më tej me këtë përkrahje për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen bullgare për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Sipas Presidentes Osmani është i rëndësishëm bashkëpunimi në sferën e diplomacisë parlamentare dhe ai ndërparlamentar.

Një pjesë e takimit iu kushtua situatës aktuale në Kosovë e më gjerë. Presidentja Osmani ka theksuar se është e rëndësishme që vendimi për liberalizimin e vizave të bëhet gjatë presidencës çeke të BE-së. Kurse sa i përket dialogut me Serbinë ka ritheksuar se ai duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë. Sipas saj, Kosova është palë konstruktive në këtë proces, kundrejt Serbisë, e cila duke përdorur strukturat ilegale në veri po përpiqet ta destabilizojë Kosovën.

Në raport me agresionin e Rusisë në Ukrainë, Presidentja Osmani ka theksuar se e vlerëson harmonizimin e plotë të Bullgarisë me qëndrimet e NATO-së dhe BE-së për Ukrainën, duke përfshirë sigurimin e mbështetjes ushtarake. Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka dënuar pa mëdyshje sulmin e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe se është në linjë me BE-në dhe SHBA-në sa i përket sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë.

Albora.ch

Marketing