Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Marketing

Nevoja për përpjekje maksimale për arritjen e një marrëveshjeje për targat është theksuar edhe në një takim të zhvilluar të martën ndërmjet Kurtit dhe ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Kosovë, Olivier Guerot dhe Jorn Rohde, ka thënë Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate.

Takimi në Bruksel do të zhvillohet vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Ai ka thënë të martën se ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është shumë i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e targave ilegale serbe.

“Shtetet e Bashkuara i duan edhe 48 orë që përafrimi i djeshëm të mund të shndërrohet në dakordim sot ose nesër. Po i bëjmë përpjekjet maksimale. Unë nuk mendoj që jemi në orët kur duhet të flasim për shtyrje të reja, duhet të flasim për intensitet maksimal, në mënyrë që brenda 48 orëve ta kemi marrëveshjen siç e synuam në Bruksel, duke mos u kufizuar në çështjet siç është puna e targave”.

Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se e ka kërkuar këtë shtyrje për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.

Kurti ka thënë se prej takimit 8-orësh të 21 nëntorit, ai nuk ka qenë në kontakt me zyrtarët evropianë lidhur me çështjen e targave.

“Me keqardhje ritheksoj se (kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep) Borrell braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e Bashkimit Evropian duke thënë ‘le ta kemi një darkordim për targat’. Nuk mjafton dakordimi për targat”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Sipas tij, “korrigjimi i gabimit të Borrellit është i domosdoshëm”.

“Është gabim i madh që të braktiset biseda për normalizim të marrëdhënieve dhe liderët, presidenti i Serbisë, dhe unë si kryeministër i Kosovës, të flasim e të dakordohemi veçse për targat, për të cilat, dorën në zemër, as ai në Serbi, as unë në Kosovë, nuk jemi personat më kompetentë”.

Më 21 nëntor, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se është i pavërtetë çfarëdo pretendimi se Bashkimi Evropian është duke hequr dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas tij, mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë pas takimit se pala serbe do t’i respektojë “këshillat dhe kërkesat” e kryediplomatit evropian, Borrell, i cili ndërmjetësoi bisedimet.

Kryediplomati evropian ka kërkuar nga Serbia “të pezullojë lëshimin e targave” të reja, të tilla si KM, që në Kosovë konsiderohen të paligjshme.

Shqiptimi i gjobës është pjesë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Faza e parë parashihte qortimin, e dyta parasheh shqiptimin e gjobës dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.

Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.

Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”. 

Marketing