Ka ndërruar jetë gazetari shqiptar në Amerikë, drejtues i gazetës “Dielli”, Dalip Greca.

Marketing

Greca ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare.

Lajmin e hidhur e ka bërë me dije gazeta “Dielli”, teksa shkruan se Greca prej disa ditësh po luftonte për jetën, ndërsa mëngjesin e djeshëm mbylli sytë përgjithmonë.

Dalip Rexhep Greca ka lindur në Lushnje me 10 tetor 1950. Mësimet bazë i bëri në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi qershor 1969 në gjimnazin” Abas Shehu” Tepelenë. Studioi për Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër 1969-1971, të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Në vitet 1971-1974 kreu shërbimin ushtarak të detyruar në Marinë.

Në vitin e fundit të shërbimit nisi me korrespondencë studimet në Universitetin e Tiranës për Letërsi, të cilat i përfundoi me rezultate shumë të mira në maj 1976. Punoi në arsim deri në vitin gusht 1983, kohë kur filloi punën se redaktor për Kulturën dhe Sportin në Gazetën lokale “Shkëndija”. E humbi këtë vend pune për shkak të përkrahjes së proceseve demokratike në dhjetor 1990.

Më 20 korrik 1999 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe filloi detyrën e redaktorit-përgjegjës për seksionin shqip të gazetës shqiptaro-Amerikane ILLYRIA, paralelisht nisi dhe përfundoi studimet 2-vjeçare në Institut Tecnnology of Business në New York.

Për 10 vite ai ishte një ndër gazetarët që hulumtoi, intervistoi, hulumtoi personalitete dhe njerëz të thjeshtë të komunitetit dhe fitoi respektin e shqiptarëve të Amerikës. Ai arriti të hulumtojë shumë nga figurat e diasporës nacionaliste, të cilët e patën lënë Shqipërinë në fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe ka gati për botim librin- Armiqtë që e donin me shpirt Atdheun.

Në gusht të vitit 2009, Dalip Greca filloi drejtimin e gazetës “Dielli”, e cila nuk botohej prej më shumë se 2 vite e gjysmë. Ai e ringjalli gazetën më të vjetër të botës shqiptare dhe për 12 vite e ktheu atë në lavdinë e dikurshme të themeluesve. “Dielli” nën drejtimin e Dalip Grecës pësoi ndryshime thelbësore.

Në gazetën Dielli, në vazhdim do të jepen detaje rreth organizimit të ceremonisë së lamtumirës dhe nderimeve.

Marketing