Sot është mbajtur forumi për mundësinë e investimeve të bizneseve të diasporës në Kosovë, ku në cilësinë e panelistëve ishin katër kryetarë komunash, ai i Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit dhe Suharekës.

Marketing

Kryetari i Suharekës, Bali Muahrremaj, tha se ky takim ishte i frytshëm por që, sipas tij, edhe pse diaspora ka dhënë një kontribut të madh në shtet formimin e vendit, bizneset e tyre nuk mund t’i stimulojë, pasi, siç thotë ai, ligji është i barabartë për të gjithë.

“Diaspora ka dhënë kontribut të madh në shtet formim, por për fat jo të mirë s’kemi mundësi t’i stimulojmë bizneset nga diaspora pasi ligji është i barabartë për të gjithë”, ka thënë Muharremaj në Edicioni Special.

Ai madje tregoi se sa kohë marrin procedurat ligjore.

“Janë ligjet në Kosovë edhe u përmend edhe ligji i negocimit megjithëse më duket ka kaluar afati, gjithçka duhet të shkojë përmes programit të asamblesë komunale, të merret një vendim të shpallen prona publike, të shpallet konkursi 45 ditë, ta dërgojë në asamble disa herë, të vendosë komisioni i pronave dhe pastaj e vendos kryetari i komunës, kjo është metoda e vetme ligjore të tjerat janë të dëmshme”, ka thënë ai.

Ai tha se vetë ka ardhur nga diaspora por që nuk është e lehtë investimi në Kosovë, pasi duhen shumë procedura.

“Unë vetë kam ardhur prej diasporës, kam punuar në diasporë, nuk ka mundësi me u kry punë brenda jave apo dite. Jo pse s’kanë ata mundësi me e kry, por edhe një kryeministër me ardhë me thanë këtë pronë e dua nuk shkon ajo punë”, ka vazhduar ai.

“Ne kemi problem që në Suharekë ta ndërtojmë një stadium, edhe pse është pronë e komunës duhet t’i kalojë procedurat përmes asamblesë komunale”, shtoi ai.

Ai theksoi se nuk është në dorën e kryetarëve të komunave procedimi i çështjeve ligjore.

“Është mirë të më kuptojnë edhe diaspora, ata vijnë vazhdimisht dhe kërkojnë prona, saqë është e rëndë edhe një kryetar komune që mos të mundë të kryejë punë në aspektin ligjor. Ndonjëherë krijohet një mosbesim që kryetarët e komunave nuk duan me kry punë, por është e pamundur me u kry punë”, tha ai.

Ai tha se investime nga qytetarët kosovarë që gjenden në Francë, Gjermani e Zvicër, kanë filluar të investojnë në këtë komunë.

“Kanë filluar qytetarët prej Francës, Gjermanisë e Zvicrës me investu edhe atje planifikojmë t’i bëjmë disa fshatra turistike, disa bujtina… Do të vazhdojmë për ta bërë më të mirën për Suharekën”.

Ai madje shtoi se me dy kryetarë bashkie nga Shqipëria kanë rënë dakord ta përkrahin njëra-tjetrën në turizëm.

“Me kryetarët e dy bashkive të Shqipërisë jemi dakorduar ta përkrahim ne turizmin detar ata atë malor”.

Marketing