Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është dënuar me 700 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë.

Marketing

Kështu ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila thotë se ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuares Rozeta Hajdari për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Gjykata thotë se e akuzuara Hajdari “është shpallur fajtore dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumën 700 (shtatëqind) euro, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve nga dita kur ky Aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm”.

“E akuzuara R.H në cilësinë e zyrtares së lartë publike, si Ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për detyrimin e saj ligjor nuk e ka respektuar nenin 6 paragrafin 1 nën paragrafin 1.1 lidhur me nenin 7 të Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik”, potencoi Gjykata.

Ndërkaq, në rast se ministrja nuk dëshiron ose nuk mund të paguajë dënimin me gjobë, i njëjti do t’i zëvendësohet me burgim, duke iu llogaritur për një ditë burgim shuma prej 20 euro. 

Marketing