Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, Christine Lambrecht, kanë diskutuar për vazhdimin e mbështetjes së Kosovës drejtë anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe për liberalizim të vizave, raporton Ekonomia Online.

Marketing

Këtë e ka bërë të ditur shefi i Qeverisë në një konferencë për medie së bashku me ministren Lambrecht, me ç’rast ka thënë se ndihma e Gjermanisë në shtetndërtimin e Kosovës është e madhe.

Ai ka thënë se në këtë takim është biseduar edhe për dialogun me Serbinë, duke vënë në theks njohjen reciproke për të sjellë normalizim të marrëdhënieve.

“Vizitat e ndërsjellta rikonfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve tona dhe janë mundësi e thellimit të miqësisë. Gjermania jo vetëm që është aleat i joni por edhe shtëpia e mijërave shqiptarë. Gjermania ka dhënë kontribut të çmuar për çlirimin, pavarësimin e shtetit të Kosovës dhe u ka hapur dyert mijëra shqiptarëve. Biseduam edhe për aplikimin në shumë organizata ndërkombëtare dhe për liberalizimin e vizave”.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Kurti tha se në qendër të marrëveshjes duhet të jetë njohja reciproke.

“Ky dialog duhet të rezultojë me marrëveshje, por kjo marrëveshje duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, do të ketë edhe elemente tjera, por të cilat nuk mund të kenë kuptimin pa këtë qendër që është njohja reciproke”, tha Kurti.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, po qëndron në Kosovë, në kuadër të vizitës së saj në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ajo në Prishtinë u prit nga kryeministri Albin Kurti.

Në një paraqitje para mediave pas takimit, Lambrecht ka thënë se stabiliteti në Ballkanin Perëndimorë është shumë i rëndësishëm.

Ajo ka falënderuar Kosovën për pozicionin e qartë në lidhje me luftën e Ukrainës.

“Kosova e dënoi qartë agresionin e Rusisë duke vendosur sanksione. Ju përgëzojmë që po mbroni vlerat e paqes dhe lirisë, vlera këto që janë të rëndësishme për Bashkimin Evropian. Ne do t’iu qëndrojmë përkrahë në rrugën tuaj drejt integrimeve në Bashkimin Evropian”, tha jo përcjell Telegrafi.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes thotë se Gjermania i ofron mbështetje Kosovës edhe në aspektin ushtarak.

“Unë kam siguruar palën kosovare se ne qëndrojmë krah Kosovës edhe sa i përket mbështetjes ushtarake. Ne jemi të angazhuar në kuadër të KFOR-it dhe do të vazhdojmë angazhimin tonë edhe më tej. Unë ju falënderoj për mikpritjen që iu keni bërë ushtarëve tanë. Për mua kjo është shumë me rëndësi. Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë edhe sa i përket trajtimit të FSK-së në mënyrë që ata të marrin përgjegjësinë e tyre në të ardhmen. Do të mbetemi partnerë edhe në të ardhmen”.

Lambrecht thotë se shpreson se do të ketë vendime të mira në Bruksel dhe Gjermania do të njeh dokumentet e Kosovës.

Marketing