Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij nga Kosova, Rifat Latifi, ka njoftuar ky i pari përmes një postimi në Facebook.
Ata kanë diskutuar për masat e reja të Qeverisë së Kosovës ndaj të gjithëve shtetasve të huaj që hyjnë vend.
“Ministri Bekim Sali shprehu mirëkuptim për vendimin e qeverisë kosovare, që ka ardhur duke e pasur parasysh gjendjen epidemiologjike në shtetin fqinj, si dhe kapacitetet e tyre për përballjen me këtë valë të virusit. Po ashtu, ministri Bekim Sali ia përcolli kolegut të tij kosovar edhe brengën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, që kanë lidhje familjare, biznesore e detyrime të tjera që i lidhin me Kosovën, e të cilët kjo masë i ka kufizuar ndjeshëm.” thuhet në një postim në Facebook të Ministrisë së Shëndetësisë të Maqedonisë së Veriut.
I pari i shëndetësisë në Maqedoni të Veriut propozoi gjithashtu të kërkohet një mundësi tjetër që edhe të mbrohet shëndeti i qytetarëve të të dyja vendeve, por edhe të mos pengohet qarkullimi i tyre i lirë. /albora.ch/