Nezir Mehmetaj ka tri vite që gjendet në paraburgim në Serbi. Mehmetaj është arrestuar në janar të vitit 2020 në Merdare nga autoritetet serbe.

Marketing

Sipas Serbisë, Nezir Mehmetaj dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Rudicë të Klinës gjatë vitit 1999.

Këto akuza janë mohuar nga vet Nezir dhe familja Mehmetaj. Nezir Mehmetaj gjatë kohës së luftës nuk ishte në fshatin e tij e as në Kosovë. Ai që nga viti 1987 ka jetuar në Zvicër.

Familja Mehmetaj vazhdimisht ka kërkuar që Neziri të lirohet sa më shpejt.

Vetëm tre vite më vone pas arrestimit të Nezir Mehmetajt, Ministria e Drejtësisë së Kosovës e cila tani udhëhiqet nga Albulena Haxhiu ka kërkuar që të bëhet ekstradimi i këtij të fundit për në Kosovë.

“Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula mbahen në Serbi mbi pretendimet për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile në Kosovë gjatë vitit 1999.

Z.Mehmetaj dhe z.Dula janë qytetarë të Kosovës pra edhe nën mbrojtjen e Republikës. Procesi i deritanishëm ndaj dy qytetarëve të Republikës së Kosovës është i përbërë nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, për vite të tëra.

Çdo akuzë ndaj tyre për krimet e pretenduara, duhet trajtuar nga organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Valon Mehmetaj, vëllai i Nezirit në një prononcim për Albora.ch e ka mirëpritur kërkesën e ministres Haxhiu, ku ka thënë se ky është një veprim i mirë.

Ai shprehet se besojnë në pafajësinë e Nezirit, por ka kritikuar shtetin e Kosovës, duke thënë se nuk është bërë mjaftueshëm.

Nezir dhe Valon Mehmetaj

“Kërkesa e bërë nga Ministria e Drejtësisë duket si një veprim i mirë, ne  nuk jemi pa shpresë sepse besojmë në pafajësinë e vëllait, por shteti nuk ka bërë mjaftueshëm sepse ekzistojnë ligjet për përkrahje dhe mbrojtje në rastet e tilla si rasti i Nezir Mehmetaj, ku ne ishim duke e luftuar të vetëm këtë padrejtësi deri më tani ku i kemi shterur rrugët e kërkimit, si dhe jemi shterur financiarisht, por mbetemi me shpresë së do vijë momenti që do lirohet nëse ka drejtësi për mbrojtjen e lirisë dhe jetës së njeriut tani me jemi në kohën moderne dhe nuk duhet lejuar lojërat e tilla si në të kaluarën e dhimbshme, ku si popull kemi vuajtur shumë nga padrejtësitë”, ka deklaruar Mehmetaj.

Mehmetaj është pyetur nga Albora.ch se pas kërkesës së Ministres Haxhiu a kanë kërkuar ndihmë nga ambasada e Zvicrës apo nga shteti zviceran, duke e ditur se  Neziri ka jetuar atje deri në ditën e arrestimit.

“Kemi kërkuar nga ministrit përkatëse si ministria e jashtme dhe e drejtësisë, ata na kanë premtuar se do bashkëpunojnë me ndërkombëtaret me zyrat përkatëse dhe ambasadat”, ka thënë ai për Albora.ch

Ai ka shtuar se kanë kërkuar nga shteti që të jetë më këmbëngulës së bashku me instancat ndërkombëtare që të bëhet lirimi apo edhe ekstradimi i Nezirit.

“Si vëlla i Nezir Mehmetaj, respektivisht i drejtohemi shtetit tonë republikës së Kosovës, jo vetëm tani qe është bërë kërkesë nga me plotë të drejtë nga ministria e drejtësisë, pikërisht nga ministrja Albulena Haxhiu, por rrjedhimisht kemi kërkuar që shteti ynë të jetë më këmbëngulës në kërkesat e veta të drejtuar Serbisë e në bashkëpunim më instancat ndërkombëtare duke kërkuar lirimin e Nezir Mehmetaj dhe se paku të realizohet ekstradimi i tij për në shtetin e tij për të analizuar rrjedhën e arsyes së arrestimit dhe kohën e stërzgjatur të mbajtjes në paraburgim të Nezirit”, ka shpjeguar Mehmetaj.

Gjithashtu, ai shprehet se familja Mehmetaj që nga arrestimi kanë vazhduar ta ngritin zërin për Nezirin, duke shpresuar se Serbia do ta kuptoj se nuk ka vepruar sipas ligjeve në rastin e këtij të fundit.

“Gjithmonë kemi ngritur zërin e familjes në mbrojtjen e arsyeshme të pafajësisë që nga data e arrestimit në pikën kufitare Merdare, pra datë 03.01.2020 nën akuzën e pretenduar krime luftë, familja jonë prej asaj kohë të zymtë e deri me tani kemi qëndruar në pritje duke shpresuar së shteti Serbisë e kupton qe nuk ka vepruar sipas ligjeve dhe të drejtave të njeriut në privimin e lirisë ndaj shtetasit kosovarë Nezir Mehmetaj, dhe me ç’rast të tërheqë akuzat dhe të liroi, por kjo nuk ka ndodhur deri më tani ku periudha kohore paraburgimit është rreth 1200 ditë të mbajtura  ku dhe vazhdon të mbahet deri në afat të pacaktuar”, ka thënë ai.

Valon Mehetaj ka treguar se kur e kanë pas kontaktin e fundit me Nezirin. Po ashtu, ai ka treguar se si është gjendja shëndetësore e Nezirit.

“Me Nezirin kemi kontakte përmes telefonit një herë në dy javë dhe vizita e fundit i është bërë që dy muaj. Neziri është diabetik i varur në insulinë, por edhe pse me probleme shëndetësore  Neziri ka moral dhe karakter të fortë dhe po mbahet i qëndrueshëm ndaj gjithë kësaj kauze”, ka treguar ai.

Mehmetaj ka folur edhe për kushtet brenda burgjeve të Serbisë ku qëndron Neziri.

“Sa i përket kushteve nuk na thotë asnjëherë që hekë keq, nuk e di a është realisht ashtu apo e thotë që mos të mërzitemi, e në veçanti për Nënën sepse nuk është mirë me shëndet qe nga dita kur i është arrestuar djali!”, ka theksuar ai.

Marketing