Marketing

Sipas të dhënave nga “Environmental Health Perspectives”, numri i vdekjeve të lidhura me nxehtësinë u rrit nga 78 në vit në vitet 1970 dhe më shumë se 300 në dekadën 2000-2010.

Vdekshmëria e tepërt nga valët e të nxehtit është rritur në Zvicër gjatë 50 viteve të fundit. Sipas një studimi të Universitetit të Bernës, kantonet më të prekura janë Gjeneva, Cyrihu, Bazel dhe Ticino.

Sipas studimit, të botuar në revistën e specializuar “Environmental Health Perspectives”, numri i vdekjeve të lidhura me nxehtësinë u rrit nga 78 në vit në vitet 1970 dhe më shumë se 300 në dekadën 2000-2010, transmeton albora.ch.

Rreth dy të tretat e vdekjeve shtesë të lidhura me nxehtësinë kanë ndodhur te njerëzit mbi moshën 80 vjeç.

“Gjatë pesëdhjetë viteve të fundit, më shumë se 9% e vdekjeve lidheshin me temperatura shumë të ulëta ose shumë të larta”, tha Evan de Schrijver, autori i parë i studimit dhe student i doktoraturës në Institutin e Mjekësisë Sociale dhe Parandaluese të universitetit të qytetit federal.

Më shumë se 5200 të vdekur nga i ftohti

Edhe më e rëndësishme është vdekshmëria e lidhur me të ftohtin: më shumë se 5200 njerëz në vit kanë vdekur në Zvicër në 50 vitet e fundit për shkak të temperaturave të ulëta.

Sipas Evan de Schrijver, “për shkak të plakjes progresive të popullsisë, vdekshmëria e lidhur me të ftohtin do të mbetet mbizotëruese në dekadat e ardhshme, pavarësisht rritjes së temperaturave”.

Rezultatet tregojnë se ndryshimi i klimës dhe plakja e popullsisë përfaqësojnë një sfidë të dyfishtë për brezat e ardhshëm. “Mbrojtja e të moshuarve është e destinuar të bëhet e një rëndësie vendimtare”, thotë studiuesi.

Numri i personave që për shkak të moshës do të ekspozohen ndaj rrezikut të valëve të të nxehtit pritet të dyfishohet deri në vitin 2060.

Nevojiten më shumë hapësira të gjelbra në qytet

Për de Schrijver, do të nevojiten strategji më ambicioze përshtatjeje kombëtare dhe lokale, të tilla si më shumë hapësira të gjelbra në qytete për të reduktuar nxehtësinë.

Për studimin e tyre, studiuesit ishin në gjendje të bazoheshin në një sasi të madhe të dhënash të papërdorura më parë që merrnin parasysh shkaqet e vdekjeve sipas grupmoshës në të gjitha komunat zvicerane midis viteve 1969 dhe 2017.

Në analizën statistikore, ky informacion është kombinuar me mesataren lokale temperaturat. /albora.ch/

Marketing