Drenusha Zajmi Hoxha tashmë është poete, shkrimtare për fëmijë e për të rritur e publiciste, e njohur dhe e laureuar edhe me çmimet më prestigjioze për letërsi në Kosovë, si dhe veprimtare edukative e humaniste gjithandej.

Marketing

Kohët e fundit, krijuesja prizrenase zbuloi fuqishëm edhe një dhunti tjetër tjetër të saj, të panjohur më parë nga publiku – atë për pikturë. Krijimtaria e saj në këtë fushë ishte aq intensive, sa vetëm për disa vite ajo krijoi një numër të madh tablosh, motivesh e temash të larmishme.

Nga faqja e saj DrenushArt në Facebook, pikturat e saj morën dhenë, u bënë të njohura në vend e në Evropë, ku i kërkojnë bashkatdhetarët tanë, por edhe ndonjë nga të huajt.
Pikturat e saj me teknikën me pika, me motive nga tradita e jonë kulturore, apo të qytetit të vjetër me shtëpitë karakteristike të tij, ua zgjojnë mallin e vendlindjes mërgimtarëve tanë. Në shumë shtëpi të tyre, tablotë e saj tashmë janë vënë në vendin e nderit.

E kishte të fjetur pasionin për pikturë gjithmonë, apo iu shfaq tash, së fundi?

“Njësoj, si dashuria për shkrimet, brenda meje ka fjetur vazhdimisht edhe ajo për pikturën dhe muzikën. Dallon vetëm koha, kur ato janë zgjuar dhe kanë kërkuar vëmendjen dhe kujdesin tim më të madh dhe këtë momentalisht e ka piktura”, thotë ajo për portalin tonë, Albora.ch.

Motivet e saj thotë se janë “krejt ajo çfarë shoh, ndjej, përjetoj dhe perceptoj. ‘

“Pastaj i kombinoj të gjitha në një rrëfim, të cilin, në vend të penës, e rrëfej me brushe dhe ngjyra”.

Ajo shprehet me shumë respekt për ata, të cilët i çmojnë dhe i blejnë veprat e saj:

“Fakti se i blejnë dhe i vendosin piktura e mia në ambientet e tyre, më bën të ndjehem shumë e vlerësuar. Bashkë me pikturën, secili prej tyre ka edhe një copë të shpirtit tim, pak lodhje dhe gëzim timin, si dhe krejt dashurinë që e vendos pa kursim në pëlhurë e drejt në shtëpitë e tyre”, thotë Drenusha./D. Gashi

Shijojeni galerinë tonë me disa nga krijimet e piktores Drenusha Zajmi Hoxha:

Marketing