Duket se pas duelit të fortë televiziv mes tyre, ishte Emmanuel Macron ai që i bindi më shumë zgjedhësit francezë.

Marketing

Shefi aktual i Elizesë, në kërkim të një mandati të dytë në krye të shtetit e ka zgjeruar epërsinë e tij kundrejt rivales së ekstremit të djathtë, Marine le Pen, edhe pse analistët sërish paralajmërojnë se balotazhi i së dielës ka për të qenë mjaft i vështirë.

Presidenti francez Emmanuel Macron e goditi fortë sfiduesen e tij në debatin televiziv të një dite më parë për lidhjet e saj me Rusinë dhe për dëshirën e saj për t’u hequr grave myslimane të drejtën për të mbuluar kokën në publik, ndërsa ai kërkon votat e francezëve për të fituar një mandat tjetër 5-vjeçar.

“Për vendin tonë, është lajm i keq, sepse ti varesh nga regjimi rus dhe varesh nga Putin. Sepse vetëm disa muaj pasi bëtë ato komentet për aneksimin e Krimesë, ku zonja le Pen morët një hua të majme nga një bankë ruse. Kështu që kur flisni për Rusinë, ju nuk flisni me liderët e tjerë, ju flisni me bankierin tuaj, ky është problemi”, tha Macron.

Në konfrontimin e tyre të vetëm kokë më kokë, Macron u përpoq të tregonte se rivalja e tij nuk është personi i duhur për të udhëhequr fuqinë evropiane të armatosur me armë bërthamore, me një popullsi të larmishme dhe për t’u marrë me Moskën. Ai u përpoq ta portretizonte Le Pen si thelbësisht të pabesueshme, duke e akuzuar atë për pandershmëri dhe për përdorimin e shifrave të gabuara në premtimet e saj zgjedhore. Le Pen u mbrojt me kartën e patriotizmit.

Ai e di shumë mirë se unë jam një grua absolutisht e lirë, se e mbroj Francën sepse jam patriote dhe këtë e kam dëshmuar gjatë gjithë jetës time. në të gjitha rrethanat, unë mbroj Francën dhe francezët. Kam bërë një postim në Twitter 9 nëntorin e vitit 2014 ku thuhej: Mbështes një Ukrainë të lirë, e cila nuk është subjekt as i SHBA-së, as i BE-së, as i Rusisë, ky është pozicioni im“, tha Le Pen.

Ajo u përpoq të tërhiqte votuesit e pakënaqur me çmimet në rritje, të shkaktuara nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Ajo tha se ulja e kostos së jetesës do të ishte përparësia e saj kryesore nëse zgjidhet në postin e presidentes, që do ta bënte atë presidenten e parë të Francës, duke e portretizuar veten si kandidate për votuesit që nuk mund të përballojnë jetesën.

Macron doli i pari në raundin e parë të 10 prillit. Por Le Pen, e cila ka fituar terren këtë vit duke shfrytëzuar zemërimin e votuesve mbi inflacionin, ka ngushtuar ndjeshëm hendekun në mbështetjen e publikut në krahasim me vitin 2017, kur humbi me 34% të votave ndaj 66% të atyre që mori Macron.

Marketing