Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi zhvilloi një takim ditën e sotme me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe drejtorët e policive të Tiranës, Elbasanit, Dibrës, Durrësit e Korçës.

Marketing

Ai tha për gazetarët se gjatë mbledhjes ishte bërë një analizë e plan-veprimit  për 4-mujorin e parë të vitit. Ndërkohë, u shpreh se fokusi në këtë periudhë lidhet me luftën kundër kultivimit të kanabisit, për të cilën beson se policia i ka tashmë mundësitë për ta minimizuar në “maksimume historike” këtë fenomen.

“Ne takohemi gjithmonë. Sot ishte për të bërë një analizë me Drejtorin e Përgjithshëm dhe me gjithë drejtorët e Shqipërisë, po themi qendrore rajonalë, qoftë shefash komisariatesh dhe bëjmë një analizë të plan-veprimit që kishim për 4-mujroin e parë dhe për të lënë detyrat për 4 mujorin e ardhshëm. Fokusi në këtë periudhë lidhet me luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe e bëmë të qartë edhe njëherë që këtu toleranca është zero. Besoj se policia tashmë ka të gjithë mundësinë, aftësinë dhe mënyrat për ta  minimizuar në maksimume historike këtë fenomen negativ. Kështu që ishte një takim pune i zakonshëm siç ju thashë dhe besoj se përbën interes për publikun kjo gjë, por nuk është ndonjë takim i jashtëzakonshëm”, tha Çuçi.

Çuçi u shpreh më tej se çështja e legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore diskutohet edhe me strukturat. Megjithatë, ai u shpreh i prerë dhe tha se toleranca ndaj kultivimit të kanabisit të paligjshëm do të jetë zero dhe nuk ka të bëjë fare me legalizimin për qëllime mjekësore dhe industriale. Sipas Çuçit ka një tendencë për ta ngatërruar iniciativën e qeverisë për legalizimin e kanabisit për  qëllime mjekësore me kultivimin apo trafikimin për qëllime përdorimi apo rekreative. Ministri tha se është shprehur para strukturave ditën e sotme që këto dy gjëra nuk kanë lidhje me njëra tjetrën dhe se do të shtohet kontrolli i territorit në mënyrë që të mos abuzojë askush.

“Ka pasur dhe gjithmonë ka një tendencë për ta konfunduar disi iniciativën e qeverisë edhe pas marrjes së përgjigjeve nga Këshillimi Kombëtar në lidhje me legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale me kultivimin apo trafikimin për qëllimi përdorimi apo rekreative. Nuk kanë lidhje fare me njëra-tjetrën. Siç e kam përmendur në qëndrimet e mia publike, por edhe siç ia përmenda sot të gjitha strukturave sot që kjo nuk ka asnjë lidhje. Përkundrazi ne shtojmë forcat dhe kontrollin e territorit në mënyrë që të mos abuzojë askush qoftë i keqkuptuar, qoftë duke e përdorur si një mundësi për të krijuar një terren për të rritur kultivimin. Kjo gjë është shumë e qartë. Tolerancë zero ndaj kultivimit të kanabisit të paligjshëm dhe nuk ka të bëjë fare me legalizimin për qëllime mjekësore dhe industriale. Sa i përket premtimit për rritje rroge për punonjësit e policisë që punojnë larg vendbanimit të tyre, Çuçi tha se, “Po mbyllen procedurat me akte nënligjore. Kemi pasur një po themi, ngadalësim të këtij procesi me krizën që ndodhi, por shumë shpejt besoj unë në mos gaboj do jetë muajin tjetër, të gjitha ato që kemi premtuar dhe parashikuar në buxhetin e shtetit do të realizohen për punonjësit e policisë”, tha ai,

Marketing