Ish-ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi ka vazhduar aktivitetet në cilësinë e kryetarit dhe themeluesit të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës. Ai ka mbajtur një prezantim në Universitetin e Cyrihut ku ka folur për përvojën e tij si ministër shëndetësie në Qeverinë e Kosovës.

Marketing

Siç thuhet në njoftimin, në prezantimin e tij “Të Qenurit Ministër i Shëndetësisë; Diplomacia Mjekësore Dhe Transformimi I Kujdesit Shëndetësor; A Duhet Ne Mjekët Të Përfshihemi Në Politikë?!”, Latifi me krenari e ka ndarë një përmbledhje të punës së tij.

“Në nëntor të vitit 2021 papritmas e lashë një punë madhore akademike dhe administrative në një nga spitalet dhe universitetet kryesore të SHBA-së, për t’u bërë Ministër në Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, si “Ministër nga sektori i shëndetësisë”, jo nga një parti politike. Të jesh Ministër i Shëndetësisë, i çdo vendi, është nderi dhe privilegji më i madh, por të jesh Ministër i Shëndetësisë i shtetit më të ri në Evropë, Kosovës, ku jam rritur, jam shkolluar dhe pastaj jam larguar në SHBA për një jetë më të mirë, është krejt diçka tjetër”, citohet të ketë thënë Latifi.

Latifi, duke folur për përgjegjësinë që e ka mbajtur për disa muaj në qeveri, ka thënë se kjo është përgjegjësia më e madhe që dikush mund ta ketë.

“Si përgatitet dikush për të qenë Ministër i Shëndetësisë? Çfarë mjetesh keni në dispozicion dhe për cfarë të tjera keni nevojë që do t’ju ndihmojnë të transformoni një sistem shëndetësor, i cili është në rrëmujë? Epo, keni investuar shumë dekada të jetës suaj për të bërë gati, keni krijuar një vizion dhe mision të qartë. Pra, tani gjithçka që ju duhet janë financat dhe angazhimi i të gjithëve, gjersa ju nevojitet edhe shumë përkrahje në luftën kundër korrupsionit të ngulitur në çdo shtresë të sistemit të kujdesit shëndetësor”, ka deklaruar Latifi.

Në këtë prezantim, ka folur edhe për mandatin e tij si Ministër i Shëndetësisë dhe se si gjatë asaj kohe krijoi një model të transformimit të shëndetësisë në Kosovë përmes diplomacisë mjekësore, për të zbutur pabarazinë shëndetësore.

Marketing