Ftesa e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për takim me udhëheqësit e partive politike opozitare ka nxjerrë në pah se spektri politik i vendit, në përgjithësi, nuk është i bashkuar kundrejt dialogut me Serbinë, thonë njohës të proceseve politike.

Marketing

Udhëheqësit e dy partive më të mëdha opozitare, Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk shkuan në takimin e thirrur nga Kurti, më 21 tetor.

Ftesës iu përgjigj vetëm udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Pas takimit, Haradinaj tha se me Kurtin ka diskutuar lidhur me përmbajtjen e një marrëveshjeje potenciale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të duhej të çonte në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Kemi tentuar të japim kontributin tonë si Aleancë, në mënyrë që Kosova, edhe në këtë proces, të arrijë sukses. Besoj se duhet të vazhdojmë më tutje, bashkë me aleatët tanë, në këtë rast me Amerikën dhe aleatët evropianë”, tha Haradinaj.

Ai iu shmang përgjigjes në pyetjen e gazetarëve nëse biseda me kryeministrin Kurti kishte të bënte me një propozim të supozuar franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës e Serbisë. Ky propozim, siç ka qarkulluar në media, nuk parasheh njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, në të cilën insiston Kosova.

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës u tha se në takimin e Kurtit me Haradinajn është diskutuar për “procesin e dialogut, idetë, modelet dhe opsionet për elementet kryesore të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat po qarkullojnë nga e nëpër kancelaritë perëndimore e demokratike, e që në këtë periudhë funksionojnë si sprova dhe testime”.

Një ditë më parë, më 20 tetor, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, përmes një video-mesazhi në llogarinë e partisë së tij në Facebook, tha se ftesa e kryeministrit ishte “pa përmbajtje, pa agjendë dhe pa protokoll”.

“Po ju rikujtoj që nuk keni asnjë arsye që të na ftoni në takime për çështje teknike. Ndërsa, kur të ketë diskutim konkret për marrëveshjen finale, ne do të jemi aty”, tha Krasniqi në mesazhin drejtuar Kurtit.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk bëri publike ndonjë arsye për mospjesëmarrjen e udhëheqësit të saj, Lumir Abdixhiku, në takim me Kurtin.

Propozimi “i panjohur” franko-gjerman

Që nga 9 shtatori kur këshilltarët e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Sholz, dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, u takuan me kryeministrin Kurti në Prishtinë dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, kryeqytetet e të dyja shteteve u vizituan disa herë nga diplomatë të ndryshëm perëndimorë.

Rreth një muaj më parë në opinion dolën informacione se Franca dhe Gjermania u kanë dhënë liderëve të Kosovës dhe Serbisë një propozim se si të zgjidhet kontesti i kahershëm mes vendeve të tyre.

Sipas raportimeve të mediave, ky propozim, mes tjerash, parasheh që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë në BE.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, i pyetur javën e kaluar për propozimin franko-gjerman, tha se tani është momenti i duhur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha më 19 tetor se “çfarëdo që të propozojnë vendet evropiane në lidhje me dialogun, duhet marrë seriozisht” dhe se “ne do ta mbështesim atë”.

Më herët, më 10 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ekziston “një iniciativë franko-gjermane, e cila dëshiron që t’i japë edhe më shumë fuqi Lajçakut, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane”.

“Diskutohen modele të ndryshme. Por, nuk ka diçka përfundimtare dhe aq më pak vendimtare, që do të mund të thuhej se ky është propozimi francezo-gjerman”, tha Kurti.

Më 21 tetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në javët në vijim do të zhvillohen takime me ekipet e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe të presidentit francez, Emmanuel Macron, për të treguar më shumë detaje për propozimin franko-gjerman.

Osmani tha se iniciativa franko-gjermane ka për qëllim intensifikimin e dialogut me Serbinë.

Qeveria, “fajtore” për mosunitetin e spektrit politik

Njohësi i proceseve politike, Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës nuk ka arritur që të organizojë një bashkëbisedim të mirëfilltë me partitë politike opozitare.

Ai konsideron që shkak i kësaj është mungesa e ideve dhe qëndrimeve të qarta nga ana e Qeverisë së Kosovës se si t’u qaset propozimeve të partnerëve ndërkombëtarë, që kanë të bëjnë me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe me arritjen e një marrëveshjeje në këtë proces.

“Opozita është e njoftuar, qoftë me udhërrëfyesin për arritjen e marrëveshjes finale – dokumentin franko-gjerman, që është thënë se mbështetet nga amerikanët dhe këtë e ka konfirmuar edhe (i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel) Escobar – qoftë me një lloj drafti të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe [që qarkullon në media]. Në këtë kuptim, them që faji i mbetet Qeverisë, sepse është udhëheqëse e procesit dhe asaj i takon që t’i iniciojë çështjet, si dhe të kërkojë mbështetje nga opozita për cilindo nga opsionet që Qeveria, si udhëheqëse e dialogut, e konsideron të rëndësishëm”, thotë Paçarizi.

Njohësi tjetër i proceseve politike, Artan Muhaxhiri, profesor i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se qasja e Qeverisë ndaj partive politike opozitare nuk garanton një vlerësim të kontributit eventual të opozitës në procesin e dialogut.

“Edhe nëse kryeministri Kurti e ka pasur me qëllim pozitiv këtë ftesë, ajo, në vend se ta dëshmojë unitetin, reflekton mungesën e unitetit dhe hendekun ekzistues në spektrin politik kosovar. Qasja e Qeverisë dhe e shumicës në Parlament ndaj opozitës, nuk ka qenë konstruktive. Prandaj, është vështirë të pritet se me një shpejtësi marramendëse opozita do ta ndryshojë pozicionin e saj”, thotë Muhaxhiri.

Deputetët opozitarë kërkojnë informacione

Deputetët opozitarë në Kosovë kanë deklaruar se nuk kanë njohuri lidhur me zhvillimet e fundit që ndërlidhen me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Blerta Deliu-Kodra, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se është e nevojshme që kryeministri Albin Kurti t’i informojë deputetët e Kuvendit të Kosovës lidhur me zhvillimet dhe dinamikat që ndërlidhen me dialogun.

“Ne e kuptojmë që çështjet kanë konfidencë. Natyrisht që nuk jemi të interesuar që të cenojmë diçka për të cilën duhet të ketë konfidencë. Por, unë besoj që ka shumë informata që mund të ndahen me publikun dhe që kontribuojnë për informimin e opinionit publik në raport me zhvillimet në dialog”, thotë Deliu-Kodra.

Time Kadriaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, vlerëson se mungon transparenca e kryeministrit Kurti në raport me deputetët e Kuvendit, kur bëhet fjalë për dialogun me Serbinë.

“Po diskutohet në opinionin e gjerë për një kornizë të re të dialogut, për një dokument franko-gjerman, për të cilin ne nuk kemi informacione. Ne do të kërkojmë informacione shtesë në seancat e radhës në Kuvendin e Kosovës, qoftë edhe përmes pyetjeve parlamentare”, thotë Kadriaj.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe shefin e Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, por ai nuk ka komentuar mundësinë e ftesës së kryeministrit Kurti në Kuvend për t’i informuar deputetët rreth dialogut.

“Informatat e dozuara” dhe “mjegullnaja e dëmshme”

Lidhur me propozimin franko-gjerman është diskutuar në opinion dhe në mediat në Kosovë. Por, qytetarët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, përgjithësisht thonë se nuk kanë informacione lidhur me këtë propozim.

Njohësi i proceseve politike, Rrahman Paçarizi, konsideron se është normale që opinioni të mos i dijë detajet e një propozimi të tillë.

“Opinioni, kryesisht, informohet përmes deklaratave (të drejtuesve institucionalë), që janë informata të dozuara, me doza të tilla sa të mos e dëmtojnë procesin – në rast se ndërmjetësuesi ndërkombëtar apo edhe palët në proces konsiderojnë se dialogu apo procesi mund të dëmtohet nga rrjedhja e shumë informatave. Por, megjithatë, kanë rrjedhur disa informata, disa drafte, për të cilat nuk e dimë nëse janë finale, por gjithsesi e krijojnë një ide të asaj se çfarë pritet të ndodhë”, thotë Paçarizi.

Sipas Artan Muhaxhirit, kryeministri Kurti duhet t’i ofrojë opinionit informacione që janë sinjale dhe orientime lidhur me rrugën që ka marrë procesi i dialogut.

Muhaxhiri thotë se duhet pasur mirëkuptim se ai nuk mund të ofrojë detaje që mund të jenë sekrete, por se duhet të jetë transparent lidhur me elementet që do të mund të kuptoheshin drejt nga opinioni publik.

“Është e pafalshme që planet shumë të rëndësishme për dialogun dhe të ardhmen e Kosovës të mos njoftohen nga ana e kryeministrit dhe ministrave, si dhe përfaqësuesve tjerë të Qeverisë, por ato të dalin në media dhe pastaj të vërtetohen nga ana e aleatëve tanë, siç ndodhi me propozimin franko-gjerman. Kjo është e patolerueshme dhe e pandershme ndaj qytetarëve të Kosovës, sepse në këtë mënyrë krijohet një mjegullnajë, e cila i bën dëm Kosovës, vetë kryeministrit Kurti dhe fuqizimit tonë në dialog”, vlerëson Muhaxhiri.

Më 19 tetor, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke folur për propozimin e vendeve evropiane në lidhje me dialogun, ka theksuar se “ky propozim do ta zhbllokonte Kosovën, por potencialisht edhe Serbinë, në rrugën e integrimeve euroatlantike”.

Megjithatë, Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe një bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për politikat e demokratizimit në Berlin, i tha Radios Evropa e Lirë më 19 tetor se, aktualisht, askush nuk e di se çfarë përmban saktësisht propozimi franko-gjerman.

Ai tha se propozimi mund ta ndryshojë rrjedhën e dialogut, por vlerësoi se Kosova dhe Serbia janë ende larg një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve.

Marketing