I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë të mërkurën se beson që ekziston momentum për takim në Bruksel ndërmjet liderëve të të dyja shteteve, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Marketing

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Prishtinë, bën të ditur REL.

“Jam angazhuar nëpër takime individuale që takimi i radhës të ketë rezultatet që dëshirojmë t’i shohim”, ka thënë Lajçak për mundësinë e takimit Kurti – Vuçiq në kuadër të dialogut, duke shpresuar që një takim i tillë të zhvillohet në korrik, para nisjes së pushimeve verore.

Këta dy liderë janë takuar dy herë gjatë vitit të kaluar në kuadër të dialogut.

Lajçak ka thënë se përgjatë vizitës treditore në Kosovë është takuar me krerë të pushtetit dhe opozitës për të diskutuar rreth dialogut.

Sipas tij, uniteti politik është shumë i rëndësishëm për ecjen përpara të dialogut, duke vënë theksin te “deklaratat e opozitës në mbështetje të dialogut dhe angazhimeve të Qeverisë [së Kosovë] në këtë proces”.

Përveç tjerash, Lajçak ka folur edhe për rëndësinë e zbardhjes së fatit të të pagjeturve dhe ka thënë se shpreson që do të miratohen dokumentet, të cilat janë duke punuar grupet punuese.

“Nuk duhet të ndalemi derisa të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve”, ka thënë ndër tjerash Lajçak.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800.000, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000.

Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten ende mbi 1. 600 persona.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.

Më vonë gjatë ditës, Lajçaku ka takuar edhe krerët e komunave në veri të Kosovës, të cilët vijnë nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë.

Lajçak me kryetarët e komunave në veri / REL

Këta të fundit kanë dalë me një komunikatë për media pas takimit, duke thënë se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, “është gjëja më e rëndësishme dhe kyçe për serbët e Kosovës”.

“Kjo është mënyra e vetme për të përmirësuar pozitën e serbëve në Kosovë”, është thënë në deklaratën e përbashkët të kryetarëve të komunave në veri.

“Të gjitha çështjet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, duhet të zgjidhen përmes dialogut në Bruksel, por edhe çdo gjë e dakorduar duhet të zbatohet ashtu siç e parasheh marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sepse vetëm kështu mund të zgjidhen problemet që pengojnë një jetë më të mirë”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

“Marrëveshjet e miratuara duhet të zbatohen”

I pyetur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Lajçaku ka thënë në konferencën për media në Prishtinë se marrëveshjet e miratuara duhet të zbatohen.

“Është zotim të cilin e ka pranuar Kosova, përfshirë miratimin në Kuvend, ka një parim të së drejës ndërkombëtare që thotë se ajo për të cilën është arritur pajtueshmëri, duhet të zbatohet. Këtë nuk e kërkon Brukseli, për këtë janë pajtuar palët”, ka thënë ai për Asociacionin, duke shtuar se për Serbinë kjo është çështje kyçe në dialog.

“E kuptoj rëndësinë e vizave”

Përgjatë konferencës, Lajçak ka thënë se e kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, dhe se kjo çështje nuk ka pasur kurrë më shumë vëmendje në institucionet e BE-së.

“Më besoni se e kuptoj sa e rëndësishme është kjo çështje për ju dhe jam me ju. Kosova e meriton liberalizim e vizave, kjo gjë është dashur të ndodhë”, ka thënë ai.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.

Foto: REL

Marketing