Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili të premten u shprehu ngushëllime familjeve serbe që pësuan nga bombardimet e NATO-s.

Marketing

Në një organizim për nder të 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Kurti ka thënë se “askush nuk duhet të ndihet i turpshëm apo fajtor në mesin e trupit diplomatik, qofshin amerikan apo evropian apo tjetër, as në Prishtinë e as në Beograd”.

“Vuajtja njerëzore e Kosovës është e vërteta historike e Serbisë. 24 Marsi është një ditë e madhe, çdo vit, andaj, të gjithëve dhe për të gjithë: Gëzuar dhe kënaquni!” ka thënë Kurti.

Në fjalimin në një ballkon të ndërtesës së Qeverisë, Kurti ka ironizuar me iniciativën e “Ballkanit të Hapur”.

“Ndryshe nga Iniciativa Rajonale e Ballkanit të Hapur, stafi im më pat propozuar Iniciativën e Ballkonit të Hapur me miqtë, të cilën e përqafova me gjithë zemër. Ndaj ju mirëpresim sërish, në nismën më të re: Ballkoni i hapur”, ka thënë ai.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në pritjen me rastin e 24-vjetorit të intevenimit të NATO-s:

E nderuara Presidente e Republikës znj. Vjosa Osmani Sadriu

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës z.Glauk Konjufca, ministra e zëvendësministra të Qeverisë,

Deputetë të Parlamentit,

Të nderuar Ambasadorë, Zëvendës Ambasadorë, Chargé d’affaires të ngarkuar me Punë, Shefa të Misioneve e diplomatë të tjerë,

Të dashur kolegë e kolege,

Zonja dhe zotërinj,

Mirë se vini në këtë pritje me rastin e 24-vjetorit të 24 marsit 1999 – ditës kur të 19 shtetet anëtare demokratike të NATO-s vendosën të ndërhyjnë ushtarakisht kundër forcave të armatosura të Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, të cilat kishin filluar ta ekzekutonin projektin e tyre gjenocidal të shfarosjes së popullsisë shqiptare në Kosovë, të quajtur “Patkoi”.

Aleatët në qiell, aeroplanët miqësorë lart, ikja e trupave armike, kështu dukej shpresa e popullit atëherë, për përfundimin e luftës dhe ardhjen e lirisë dhe paqes.

Në këtë ditë falënderojmë çdo vendanëtar të NATO-s për rolin dhe kontributin e tyre për çlirimin e vendit tonë.

24 vjet më parë në këtë ditë unë vetë u mbusha 24 vjeç, që është gjysma e jetës sime sot. E sa herë që në burg më pyesnin për datën e lindjes, përgjigja ime nuk ishte menjëherë e besueshme dhe supozohej se ishte një provokim. Prandaj, unë festoj në një mënyrë të dyfishtë që atëherë.

Ndryshe nga Iniciativa Rajonale e Ballkanit të Hapur, stafi im më pat propozuar Iniciativën e Ballkonit të Hapur me miqtë, të cilën e përqafova me gjithë zemër. Ndaj ju mirëpresim sërish, në nismën më të re: Ballkoni i hapur.

Sigurisht jo vetëm për këtë iniciativë dhe për këtë mot të këndshëm që po na shoqëron sot, dua të falënderoj stafin tim, për punën e përditshme të palodhur që bëjnë dhe për dy vitet e performancës së mirë që dhanë.

Të dashur miq ndërkombëtarë,

Askush nuk duhet të ndihet i turpshëm apo fajtor në mesin e trupit diplomatik, qofshin amerikan apo evropian apo tjetër, as në Prishtinë e as në Beograd. Vuajtja njerëzore e Kosovës është e vërteta historike e Serbisë. 24 marsi është një ditë e madhe, çdo vit, andaj, të gjithëve dhe për të gjithë: Gëzuar dhe kënaquni!

Marketing