Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Davos takoi bashkëdrejtuesin dhe bashkëthemeluesin e kompanisë softuerike Celonis, Alexander Rinke.
Celonis ka mbi 3 mijë punëtorë, konsiderohet si kompania e teknologjisë me rritjen më të shpejtë në mbarë botën dhe nga viti 2015 ka edhe zyrën e saj në Prishtinë në të cilën ka të punësuar 74 veta.
“Derisa z. Rinke foli për përvojën e tyre në Kosovë dhe shërbimet që Celonis i kryen në Prishtinë për klientët e saj, Kryeministri Kurti tha se me popullatën e re dhe profesionale që vendi ka, shtrirjen më të gjerë të internetit në Evropë, potencialin e dëshmuar në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe me qeverinë që mbështet këtë sektorë, Kosova synon që të bëhet qendra e radhës e kësaj fushe në Evropën Juglindore”, është thënë në komunikatën për medie nga Qeveria e Kosovës.
Ai e ftoi kompaninë Celonis që të konsiderojë Kosovën në strategjinë e tyre të zgjerimit, teksa po ashtu diskutoi me z. Rinke mundësitë që Celonis të jetë urë lidhëse ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit të startup-ve në Gjermani.