Shqiptari Eridon Hasanpapaj është arrestuar nga policia britanike, pasi në shtëpinë ku qëndronte kishte kultivuar bimë kanabisi.

Marketing

Sipas The Northern Echo-s britanike, 22-vjeçari shqiptar, ka thënë para gjykatës se është detyruar të rriste bimë kanabisi pasi iu kishte marrë borxh personave që e kishin futur ilegalisht në Britaninë e Madhe.

E për ta kthyer borxhin, ka thënë se u “detyrua”, të bënte një gjë të tillë.

Nëse do ta hidhte në treg, ai do të fitonte mbi 50 mijë euro nga shitja e mariuhanës.

“Kur u bastis shtëpia, iu gjetën dy dhoma gjumi në katin e sipërm të ndërtesës të pajisura me ndriçim, ventilatorë dhe kohëmatës, ndërsa sahati i energjisë elektrike ishte hequr duke e vjedhur energjinë elektrike”, thuhet në deklarimin e policisë.

Sipas avokatit, Hasanpapajt ishte i detyruar të përkujdesej për rritjen e bimëve të kanabisit.

“Atij iu dhanë udhëzime se çfarë duhet të bënte kur të mbërrinte në shtëpi. Duke pasur parasysh borxhin ai ndjeu se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të zbatonte udhëzimet që i ishin dhënë”, deklaroi avokati i tij.

Eridon Hasanpapaj është dënuar me 1 vit burg dhe më pas do të dëbohet për në Shqipëri./albora.ch

Foto: Pixabay

Marketing