Ministria e Shëndetësisë e Kosovës paralajmëron se do t’i mobilizojë kapacitetet spitalore dhe se do të bëjë gjurmimin dhe testimin e rasteve të reja pozitive me koronavirus.

Marketing

Kjo pasi, ditëve të fundit, ka pasur rritje të përqindjes së të infektuarve.

Më 28 qershor, mbi 30 për qind e testeve kanë dalë pozitive – shifër kjo e paparë qysh në muajin janar.

Në bazë të llogaritjeve, numri i të infektuarve në dy javët e fundit të qershorit është rritur për më shumë se 400%, në krahasim me dy javët e para të të njëjtit muaj, transmeton REL.

Gjatë pranverës, shifrat e rasteve pozitive kanë qenë relativisht të ulëta – më 24 maj nuk ka pasur asnjë rast pozitiv.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se “është e pritshme që në Kosovë të shënohen edhe më shumë raste në ditët në vijim”, duke qenë se në vendet e rajonit ka po ashtu rritje.

Në bazë të të dhënave të kësaj ministrie, të publikuara më 1 korrik, numri i rasteve aktive në Kosovë aktualisht është 730.

Përqindja e rasteve të reja pozitive i është afruar edhe më 1 korrik 30-përqindëshit.

Në qarkullim besohet se është varianti Omicron i koronavirusit, i cili përhapet më shpejt, por shkakton simptoma kryesisht më të lehta.

Numër i vogël i të shtrirëve në spital

Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i pacientëve të shtrirë me koronavirus, aktualisht, është njëshifror.

Ai thotë se, tash për tash, edhe medikamentet janë të mjaftueshme, edhe stafi mjekësor.

“…por, nëse vjen deri te një numër më i madh i pacientëve, ashtu siç ka ndodhur në valët e mëparshme [të pandemisë], na duhet më shumë personel mjekësor”, thotë Vishaj.

Pandemia e koronavirusit ka shpërthyer në mars të vitit 2020 dhe në periudha të caktuara të saj, Kosova është përballur me valë të rënda, që kanë imponuar angazhime shtesë të stafit mjekësor, por edhe shtim të shtretërve në klinika të ndryshme.

Foto: REL

Marketing