Është mbajtur takimi në mes të përfaqësuesve të hoteleve dhe kompanive turistike nga Saranda dhe atyre nga Kosova, me slloganin: “Saranda në Prishtinë”.

Marketing

Të pranishëm në këtë takim ishin: Kryetari i Bashkisë Sarandë Adrian Gurma, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, si dhe kryesuesi i Kuvendit të OEK-ut, Ruzhdi Kurtishaj, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast,  Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Transportit Rrugor, ka thënë se ky takim është rast i veçantë sa i përket dialogut privat dhe promovimit të turizmit.

“Është takim i përbashkët mes hoteleve dhe agjencive turistike. Është rast i veçantë për të quar dialogun privat dhe për të promovuar ofertën turistike të Sarandës. U dëshiroj mirëseardhje vëllezërve nga Saranda në Prishtinë”, tha ai.

Kryetari i OEK, Berat Rukiqi, tha se dëshirojnë të shohin edhe më shumë bashkëpunim në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Është nder i veçantë për Odën Ekonomike pjesëmarrja e kryetari të Sarandës. Të gjitha këto vikende po shohim fluks të qytetarëve tanë që i’a mësyjnë për shumë arsye të cilat sot i ofron bregdeti dhe qyteti i Sarandës. Ne dëshirojmë të shohim edhe shumë promoter të bashkëpunimit edhe në fusha të tjera. Më shumë produktet të Kosovës në Shqipëri dhe më shumë produkte të Shqipërisë në Kosovë”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, tha se pa pushuesit nga Kosova, se turizmi do te ishte kthyer në ngërç të pakthyeshëm.

“Kënaqësi dhe emocion i veçantë sepse ato ndarjet dhe konotacionet mes nesh nuk janë. Distanca gjeografike mund të jenë evidente, por ato janë ura. Dua t’ju them që në Sarandë vini në qytetin tuaj në detin tuaj. Frymarrja ushqimi dhe mjekimi me i mirë për turizmin ishte Kosova. Pa pushuesit nga Kosova jam i bindur se turizmi do të ishte kthyer në ngërç të pakthyeshëm. Saranda është mbretëresha e turizmit. Do të kërkoja që dy odat ekonomike t’i zgjerojnë bashkëpunimet e tyre”, tha ai.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi, ka deklaruar se rinia e Kosovës ëshët faktori kryesor i zhvillimit të turizmit në Sarandë.

“Midis Prishtinës dhe Sarandës e para ka të bëjë me një brez të ri, lidhja e parë e Kosovës me Sarandës. Lidhja e dytë është që sot Kosova konsumon 75% të mandarinave nga Saranda. Saranda sot vizitohet kryesisht nga rinia. Kemi vazhdimësi brezash. Nga vitit në vit numri i qytetarëve që blejnë banesa në Sarandë rritët 30%”, tha ai.

Arben Qipa nga turizmi i Shqipërisë, tha “Ecëm paralel dhe jemi bashkë në industrinë e turizmit të Sarandës. Për t’i dhënë pak ton humori Kosova ka shumë të dashura, Shëngjini, Durrësin, por bashkëshortin ka Saranda. Ne pasurojmë produktin tonë. Ne bartim një eksperiencë turistike. Turistët që operojnë në Durrës është planifikuar ture ditore përfshirë edhe Kosovën”.

Marketing