Kryeministri i Kosovs, Albin Kurti po qëndron në Strasburg për të marrë pjesë në takimin e 10-të të Komitetit Parlamentar për marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.

Marketing

Qëndrimin dyditor në Strasburg të Francës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka filluar me takimin me eurodeputetë të Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian, Lukas Mandl nga Austria, Michael Gahler, Rainer Wieland dhe Niklas Herbst nga Gjermania, Karlo Ressler nga Kroacia, Franc Bogovic nga Sllovenia, Vladimir Bilcik nga Sllovakia. EPP përbën grupin më të madh politik në Parlamentin Evropian.

Zyra e Kryeministrit njofton se në takim është diskutuar për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit të kaluar, dhe për aplikimin në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar.

“Kryeministri Kurti ka theksuar rëndësinë e përkrahjes së Parlamentit Evropian në trajtimin sa më të shpejtë të aplikimeve të Kosovës dhe mbështetjes përgjatë gjithë rrugëtimit integrues. Është folur edhe për takimin e 18 marsit në Ohër, mundësitë që paraqet dhe pritjet nga ai takim”, thuhet në komunikatën për media.

Bashkë me ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, Kurti i ka njoftuar deputetët evropianë edhe për zhvillimet e fundit në vend, “arritjet kryesore të qeverisë, e cila javën tjetër mbushë plot dy vjet, sukseset në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, dhe për përmirësimet në indikatorët demokratikë dhe ekonomikë, të evidentuara edhe në raportet ndërkombëtare”.

“Së fundmi, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova është renditur e para në Ballkanin Perëndimor me rritjen më të madhe të të hyrave tatimore mes vitin 2020-2022, dëshmi e formalizimit të ekonomisë, mbledhjes së borxheve dhe e gatishmërisë së qytetarëve dhe bizneseve që të paguajnë tatime. Teksa është ngritur për 20 vende në dy vitet e fundit në indeksin e perceptimit të korrupsionit sipas Transparency International”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkaq, eurodeputetët bëhet e ditur se kanë dhënë vlerësimin e tyre pozitiv dhe ka shprehur mbështetjen e plotë ndaj reformave të qeverisë, përparimit demokratik, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.

Kurti po qëndron në Strasburg për të marrë pjesë në takimin e 10-të të Komitetit Parlamentar për marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në.

Takimin e radhës në Strasburg, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e zhvilloi me eurodeputetin spanjoll nga radhët e Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), njëherësh Kryetarin e Komitetit LIBE për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme në Parlamentin Evropian, Juan Fernando Lopez Aguilar.

Albin Kurti dhe Juan Fernando Lopez Aguilar

Bëhet e ditur se temë e diskutimit ishin zhvillimet e fundit, qeverisja dyvjeçare, reformat në sistemin e drejtësisë, sundimi i ligjit dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Kurti shprehu falënderimin e tij për mbështetjet e deritanishme që Komiteti LIBE i ka dhënë Kosovës për largimin e regjimit të vizave, mbështetje që uron ta marrë edhe në votimin e radhës në këtë komitet, dhe tha se pas vendimit të javës së kaluar të Këshillit të Bashkimit Evropian pret që së shpejti Parlamenti Evropian të kryej dy votimet e fundit në kuadër të këtij procesi.

Duke folur për dyvjeçarin e qeverisjes, kreu i ekzekutivit kosovar krahas vlerësimeve të brendshme, iu referua raporteve ndërkombëtare, përfshirë atë të Bashkimit Evropian, të cilat po dëshmojnë përmirësimet dhe përparimet në rrafshin ekonomik dhe demokratik të vendit.

“Raporti i BE-së për vendin i vitit të kaluar ishte më i miri ndonjëherë për Kosovën. Sipas Projektit të Drejtësisë Botërore (World Justice Project) Kosova për të dytin vit radhazi, renditet e para në Ballkanin Perëndimor për sa i përket sundimit të ligjit, ndërkaq në vitin 2022 u rendit e dyta në botë për nga përmirësimi vjetor. Ndërkohë që javën e kaluar raporti për këtë vit i Freedom House renditi Kosovën të parën në Ballkan, të dytën në Evropë dhe të tretën në botë për nga përmirësimi në të drejtat politike dhe liritë civile, në një kohë që për të 17-tin vit me radhë liritë në nivel global kanë pësuar rënie”.

“Eurodeputeti Aguilar shprehu mbështetjen e tij për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, si dhe për konkludimin e procesit të liberalizimit të vizave nga Parlamenti Evropian, ashtu që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë lirshëm e pa viza në zonën Shengen nga 1 janari i vitit të ardhshëm”, thuhet në kumtesën për media të zyrës së kryeministrit.

Albora.ch

Marketing