Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, vlerësoi se Rusia ka interes për konfliktet e ngrira në Ballkan, të cilat i pengojnë vendet e rajonit nga integrimet euroatlantike.

Marketing

“Ballkani Perëndimor ka qenë gjithmonë interesant për Rusinë. Ndikimi i saj ka qenë gjithmonë i pranishëm përmes mediave, madje edhe përmes disa partive politike. “Rusia ka interes në konfliktet e ngrira në Ballkan, të cilat po i pengojnë vendet të lëvizin drejt integrimit euroatlantik”, tha Kovaçevski në një intervistë për të përditshmen austriake “Di Presse”.

Sipas tij, Rusia qëndron pas dezinformatave që po përhapen në Maqedoninë e Veriut në kontekst të ngjarjeve aktuale politike dhe luftës në Ukrainë.

“Ato vijnë nga vende të treta që nuk duan që ky vend të përparojë dhe të zhvillohet. Është e qartë se financohet nga Rusia. Kjo është arsyeja pse anëtarësimi në BE është qëllimi ynë strategjik. Ai ofron liri të të menduarit kritik, drejtësi sociale dhe prosperitet ekonomik. Njerëzit në Maqedoninë veriore dhe në rajon e duan këtë,” citohet të ketë thënë Kovaçevski nga shërbimi i shtypit i qeverisë në Shkup.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut është duke e zbatuar plotësisht vendimin e Këshillit të Evropës për ndalimin e transmetimit të mediave ruse “Sputnik” dhe RT (Rusia Today), siç kanë bërë së fundmi Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe vende të tjera.

“Maqedonia e Veriut e ka harmonizuar plotësisht politikën e saj të jashtme me BE-në. “Për herë të parë vendosëm sanksione ndaj Rusisë, duke filluar nga ato të vitit 2014”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se në kohën e agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës , anëtarësimi në NATO ishte i një rëndësie të madhe për Maqedoninë e Veriut, veçanërisht për ekonominë e saj.

“Sulmi i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës dëshmon se anëtarësimi në aleancën më të madhe të mbrojtjes në botë, NATO, është me rëndësi të madhe për çdo anëtar. Ne jemi një vend i vogël. Siguria jonë garantohet nga të gjithë anëtarët e NATO-s, gjë që ka shumë pasoja pozitive për shoqërinë dhe ekonominë tonë. “Sepse investitorët e huaj, veçanërisht në sektorin e infrastrukturës, e dinë se janë në një vend të sigurt, të cilin NATO e mbron”, tha Kovaçevski në një intervistë për “Di Presse”.

Marketing