Ministri i Punëve të Jashtme i Suedisë, Tobias Billström, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta zbatojnë marrëveshjen e arritur në Ohër më 18 mars.

Marketing

Në një konferencë për media në Prishtinë, kryediplomati suedez është pyetur edhe për deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se nuk do të lejojë Kosovën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Ministri Billström para mediave ka thënë se Serbia duhet të distancohet nga pengesa që Kosova të bashkohet në organizata ndërkombëtare. Ndërsa, ai ka shtuar se edhe Kosova duhet t’i përmbush zotimet e saja që të formohet Asociacioni

“Unë mendoj se të dyja palët që e kanë nënshkruar marrëveshjen në Ohër, duhet të zbatojnë zotimet. Kjo nënkupton që në rastin e Serbisë, natyrisht që duhet të distancohet nga pengesa që Kosova t’i bashkohet organizatave ndërkombëtare, në anën tjetër edhe Kosova duhet t’i përmbush zotimet e saja që të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, është shprehur kryediplomati suedez.

Ai ka folur edhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ka thënë se Suedia e mbështet këtë aplikim dhe se presidenca suedeze po e mban në prioritet agjendën evropiane për Ballkanin.

“Suedia e ka mbështetur shumë procesin e reformave në Kosovë. Jemi donatori i pestë më i gjerë në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare. Presidenca suedeze në BE po e mban në prioritet agjendën evropiane për Ballkanin dhe sot kemi folur për situatën tonë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor”.

“Ne mbështesim procesin e integrimit të Kosovës dhe natyrisht proceset e reformave në lidhje me aplikimit e Kosovës për anëtarësim. Natyrisht se do ta mbështesim si procedurë të rregullt, njëjtë si për vendet tjera”, ka shtuar Billström.

Marketing