Rreth 360 është numri i vëzhguesve të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të vëzhguar zgjedhjet e së dieles, më 23 prill, që do të mbahen në katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës.

Marketing

Sipas Zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike, media, OJQ dhe përfaqësi të huaja diplomatike që janë të akredituara në Kosovë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akreditoi 357 vëzhgues të cilët do të mund të përcjellin nga afër procesin zgjedhor më 23 prill dhe procedurat tjera pas ditës së zgjedhjeve. Vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë subjekte politike, media, OJQ dhe përfaqësi të huaja që janë të vendosura në vendin tonë”, njoftoi Elezi.

Sipas tij, numri i vëzhguesve të akredituar në emër të subjekteve politike është gjithsej 75, ndërsa në emër të OJQ-ve të ndryshme do të vëzhgojnë 109 vëzhgues.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, ambasada e Mbretërisë së Bashkuar është akredituar për të përcjellur këto zgjedhje me dy vëzhgues. Edhe mediat kanë shfaqur interesim të madh për këtë proces zgjedhor, pasi numri i përgjithshëm i tyre që janë akredituar janë më shumë se 20 media me më shumë se 170 persona.

Në mesin e mediave që janë akredituar janë edhe mediat ndërkombëtare si Associated Press, Reuters, TRT Arabi, Al Jazeera Balkans e Anadolu Agency.

Marketing