Kosova nuk ka asnjë mekanizëm që do të mund të parandalonte vdekjen e punëtorëve në vendin e punës. Inspektorati i Punës i cili edhe mbikqyr punëtorët zakonisht kompanitë i viziton në raste se dikush ka humbur jetën aty apo ka ndonjë lendim serioz në punë, kjo për shkak edhe të numrit të vogël të inspektorëve.

Marketing

Një muaj më parë është rasti i fundit kur një person vdiq në vendin e tij të punës dhe deri më tani nuk ka pasur ndonjë raport të detajuar pë vdekjen e tij dhe askush nuk është derguar prapa grilave, shkruan Albora.ch.

Bislim Brahimi nga qyteti i Skenderajt, 64-vjeçari që kishte humbur jetën në vendin e tij të punës.

Sipas raportimeve Brahimi derisa ishte duke punuar në një objekt në Bresje të Fushë Kosovës, ka marrë lëndime të rënda dhe për pasojë ka humbur jetën. Lajmin për vdekjen e tij e kishte berë zyrtare Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.

“RREZIKIM I SIGURISË NË VENDIN E PUNËS/Fsh. Bresje, Fushë Kosovë 19.11.2022 – 08:55. Raportohet se, deri sa ishin duke u kryer disa punime, dyshohet se viktima mashkull kosovar është rrëzuar dhe si pasojë e lëndimeve të rënda ka vdekur. Mjekësia ligjore ka bërë tërheqjen e trupit të viktimës. Rasti është duke u hetuar”, thuhej në raportin e PK-së, shkruan Albora.ch.

Viti 2022 pati 14 vdekje në vend pune

Në Kosovë këtë vit është rritur ndjeshëm numri i punëtorëve që humbën jetën në vendin e punës.

Foto ilustrim

Në krahasim më vitin 2021 kur ishin nëntë të vdekur, më 2022 pati 14 jetë të humbura. Më së shumti raste me fatalitet janë regjistruar në sektorin e ndërtimtarisë. Nga Inspektorati i Punës thonë se këtë vit ka pasur edhe më shumë gjoba të shqiptuara për kompanitë që nuk janë kujdesur për sigurinë e punëtorëve. Ndërsa, nga Shoqata e Ndërtimtarëve fajësojnë institucionet për mungesë të inspektorëve.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, deklaroi se mbetet shqetësuese numri i punëtorëve që humbin jetën në vendin e punës. Sipas tij, ata mbesin të fokusuar të inspektojnë për respektimin e ligjit për siguri në punë.

“Vitin 2021 kemi nëntë vdekje, (raste) me fatalitet dhe këtë vit 14 vdekje që kanë ndodhur në tregun e punës dhe shumica e këtyre vdekjeve janë në sektorin e ndërtimit pasi që ky është një sektor i cili është në hov të madh dhe gjithashtu Inspektorati i Punës është më shumë i koncentruar që ta inspektojë apo ta mbikëqyrë Ligjin për siguri dhe shëndet në punë që prek këtë sektor”, theksoi Nikçi.

Sipas Nikçit, këtë vit është rritur edhe numri shqiptimit të gjobave për kompanitë të cilat kanë shkelur ligjin e punës dhe atë për siguri. Ai tha se më së shumti gjoba janë dhënë për sektorin e ndërtimit.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se pronarët e kompanive nuk i japin rëndësi sigurisë së punëtorëve. Ai tha se edhe shteti duhet të jetë më i rreptë.

Azemi u shpreh se mungesa e sigurisë në punë është një nga arsyet kryesore pse punëtorët kërkojnë të gjejnë vende pune jashtë vendit.

“Sigurisë së punëtorëve në vendin e punës nuk i është kushtuar një rendësi e veçantë, pothuajse fare nuk merret me këtë çështje pronari i kompanisë, ndërkaq duhet të jetë mbikëqyrës edhe shteti, por edhe vetë punëtoret duhet të mendojnë për sigurinë dhe shëndetin e tyre në punë… Shteti dhe pronarët e kompanive nuk kanë bërë asgjë dhe realisht përpos pagës që është si mjet kryesor për ikjen e punëtorëve të sektorit privat nga Kosova, edhe siguria dhe shëndeti në punë është një pjesë pothuajse primare për ata të cilët ikin nga Kosova”, tha Azemi.

Shqetësuese mbetet edhe fakti se punëtorët në Kosovë, në numër të konsiderueshëm, punojnë pa sigurim shëndetësor dhe sigurim jetësor dhe kushte të rënda pune.

Albora.ch

Marketing