Marketing

Për ta parandaluar grumbullimin e njerëzve dhe veturave në kryeqytet për një protestë kundër masave kufizuese në pandemi, Franca ka mobilizuar mijëra policë, automjete të blinduara për transportim të personelit dhe kamionë me ujë të premten.

Janë vendosur pika kontrolli në vendet për pagesa për hyrje në rrugët kryesore, ndërsa pengesat për kontrollimin e trazirave janë vënë në pjesë të ndryshme të qendrës së Parisit para marsheve që protestuesit i kanë planifikuar për fundjavë, shkruan BBC.

Të frymëzuar nga protestat e “Konvojit të Lirisë” në Kanada, drejtues automjetesh nga disa qytete në mbarë Francën pritej të arrinin afër Parisit të premten dhe të mundoheshin që ta sfidonin urdhrin policor për të mos hyrë në qytet.

“Jemi rrotulluar në rrathë tri vjet. I pamë kanadezët dhe i thamë vetes: Ajo që po bëjnë ata është e mrekullueshme. Për tetë ditë, buum, diçka lindi”, tha pensionisti Jean-Marie Azais, që ishte pjesë e “Konvojit të Lirisë” që është nisur drejt kryeqytetit francez nga jugperëndimi, duke iu referuar strategjisë së Francës kundër Covid-19.

Në mbrëmje kur trafiku ishte më i dendur, policia filloi që t’ua kontrollonte drejtuesve dokumentet në pika të ndryshme kontrolli në qendër të Parisit. Më shumë se 7.200 oficerë do të mobilizohen për 72 orët e ardhshme.

Protestuesit shkëmbyen informata përmes rrjeteve sociale se si të depërtohej më lehtë në qytet, duke e shmangur praninë e policisë, në të cilën përfshihen pajisje për ngritje të objekteve të rënda, të cilat do të përdoreshin për largimin e pengesave në rrugë.

“Gjithmonë e kemi mbrojtur të drejtën për të protestuar, por na duhen harmonia dhe shumë vullnet i mirë kolektiv”, tha për gazetën “Ouest France” presidenti francez, Emmanuel Macron, duke bërë thirrje për qetësi./albora.ch/

Marketing