Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci, priti sot në takim përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të udhëhequr nga Shefi i Misionit për Kosovë, Gabriel Di Bella.

Marketing

Në takim, përveç tjerash, u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm dhe raportet e frytshme të Republikës së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe u shkëmbyen pikëpamje në lidhje me mundësitë zhvillimore, perspektivën dhe politikat ekonomike të shtetit tonë.

Me këtë rast, Konjufca vlerësoi kontributin e FMN-së dhe shprehu mirënjohje për ndihmën e vazhdueshme të këtij institucioni dhënë Republikës së Kosovës. Gjithashtu ofroi bashkëpunim të plotë të legjislativit në aspektin e kornizës rregullative e cila forcon stabilitetin financiar, disiplinën fiskale dhe avancon reformat ekonomike.

Kryetari i Kuvendit mirëpriti raportin e fundit të FMN-së dhe statistikat tejet pozitive për Kosovën në lidhje me punësimin formal dhe rritjen më të madhe të të hyrave tatimore në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve 2020-2022.

Ndërsa Shefi i Misionit për Kosovën, Gabriel Di Bella e falënderoi Kryetarin Konjufca për pritjen dhe ritheksoi gatishmërinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Kuvendin dhe me institucionet e tjera të Republikës së Kosovës.​

Marketing