Një këmbësore ka vdekur mbrëmë pas një aksidenti trafiku që ka ndodhur në fshatin Rogovë të Gjakovës.

Marketing

Tv Prizreni raporton se e reja që u godit për vdekje nga veturat është Rita Gashi, 17-vjeçare.

Aksidentin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili tha se në aksident janë përfshirë dy vetura, dhe janë lënduar gjashtë persona.

Elezaj tutje ka njoftuar se viktima ishte dërguar në QKUK për të marrë trajtim mjekësor, por për shkak të lëndimeve të rënda trupore, ka vdekur.

“Në aksidentin e ndodhur sot në fshatin Rogovë (rruga Gjakovë-Prizren), fillimisht është raportuar për tre persona të lënduar (dy këmbësorë dhe njëri nga shoferët e automjeteve). Më vonë trajtim mjekësor ju është ofruar edhe katër personave tjerë (tre pasagjerë dhe shoferit të automjetit tjetër). Rreth orës 16:40 jemi njoftuar se njëri nga këmbësorët (viktima femër), e cila ishte duke u trajtuar në QKUK për shkak të lendimeve të rënda trupore, fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit me vendimin e të cilit dy shoferët e të dy automjeteve të përfshira në aksident, janë ndalur në mbajtje për 48 orë.” – ka bërë të ditur Elezaj.

Marketing